“Kemi pasur bashkëpunime të tjera siç ishte projekti gjigand ‘Opera Skënderbeu’ me përkrahjen e maestros Zhani Ciko, ku morën pjesë më shumë se 200 artistë nga Shqipëria në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku unë interpretova rolin e Donikës! Me po këtë orkestër kemi realizuar koncertin ‘Vera e Shkupit’ me dirigjent maestro Zhani Ciko, ku morën pjesë shumë artistë shqiptarë”, thotë Ahmeti, ndërsa shton se deri tani, orkestra është sjellur në mënyrë profesionale
Shkup, 11 prill – Disa koncerte gala me orkestrën e Teatrit dhe Operës së Maqedonisë janë planet për këtë vit të sopranos së mirënjohur Dëshira Ahmeti. Së fundmi, Ahmeti interpretoi në skenat e New Yorkut si në Carnegie dhe Lincoln Center, ndërsa në shkurt interpretoi rolin e Antonias tek opera “Rrëfimet e Hofmanit” dhe Donna Anna tek “Don Govani”. Për gazetën KOHA, sopranoja Dëshira Ahmeti thotë se me punë nuk ndalon asnjëherë, ndërsa po përgatitet për koncertet gala që do t’i realizojë në Shkup, me orkestrën e Teatrit dhe Operës së Maqedonisë, pjesë e së cilës është me vite të tëra.
Njëkohësisht, duke mos hyrë thellë në akuzat e tenorit Ramë Lahaj drejtuar Teatrit dhe Operës së Maqedonisë, Ahmeti thotë se personalisht, por edhe artistë tjerë nga Kosova dhe Shqipëria, deri më tani nuk kanë pasur probleme.
“Unë kam plot 20 vite që jam e punësuar në Teatrin e Operës në Shkup dhe me shumë eksperiencë dhe përvojë në këtë institucion! Gjate gjithë këtyre viteve si soliste e roleve kryesore krahas roleve të shumta që kam realizuar dhe koncerteve Gala me orkestrën e këtij institucioni, kam realizuar dhe një numër të madh të projekteve të përkrahura nga Ministria e Kulturës e vendit tonë si koncerti Gala me të ftuar artistë nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera fqinje ku edhe janë interpretuar vepra të autorëve shqiptarë premierike për këtë orkestër nga kompozitorët e shquar si Rauf Dhomi, Prenk Jakova, Tish Daija… Kemi realizuar koncertin historik të artistes tonë të madhe me famë botërore Inva Mula ‘Për Ty Atdhe’ në shoqërimin e Orkestrës të Teatrit dhe Operës, ku patëm një sukses të jashtëzakonshëm – koncert ky që do të mbahet mend gjatë për artdashësit tanë! Më pas kemi pasur bashkëpunime të tjera siç ishte projekti gjigand ‘Opera Skënderbeu’ me përkrahjen e maestros Zhani Ciko, ku morën pjesë më shumë se 200 artistë nga Shqipëria në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku unë interpretova rolin e Donikës! Me po këtë orkestër kemi realizuar koncertin ‘Vera e Shkupit’ me dirigjent maestro Zhani Ciko, ku morën pjesë shumë artistë shqiptarë”, thotë Ahmeti, ndërsa shton se deri tani, orkestra është sjellur në mënyrë profesionale.
Ahmeti ka përmendur edhe pjesëmarrjen në festivalin “Mbrëmjet Operistike të Majit” ku Inva Mula interpretoi rolin e Margaritës tek Opera “Faust” në po këtë institucion, dhe më pas soliste nga Kosova, Zana Ramadani e ftuar nga drejtoria e Teatrit të Operës interpretoi rolin kryesor tek “Rigoleto” – rolin e Xhildes!
“Te gjitha këto janë realizuar në mënyrë shumë profesionale nga artistët dhe institucioni përkatës. Projekte të tjera ka pasur në Tetovë që kanë bashkëpunuar me Orkestrën e Teatrit të Operës gjatë gjithë këtyre viteve që unë i kam ndjekur dhe nga larg me shumë kujdes dhe respekt për punën që kanë realizuar! Si artiste, mendoj se ne duhet të fokusohemi për të realizuar projekte të tjera të frytshme dhe të kemi bashkëpunime me artistë nga bota për të bëra gjëra sa më të bukura për të ardhmen”, thotë sopranoja Ahmeti. (koha.mk)