Ndërkohë që kaloi përmes Mar del Plata, përpara se të niste javën përgatitore për superklasiken e të dielës ndaj River, në të njëjtin qytet, Karlos Tevez u relaksua në një intervistë të gjatë të dhënë për “TyC Sports”. Në moshën 34-vjeçare, sulmuesi deklaroi se ky rikthim, i dyti, do të jetë i fundit, pasi ai dëshiron ta mbyllë karrierën e tij pikërisht te Boka Junior.
“U ktheva sepse lagja është ajo që jam, ata më duan për atë që unë bëj brenda dhe jashtë fushe. Ndihem mirë dhe jam i qetë. Kur mbërrita në Kinë, kuptova se doja të rikthehesha te Boka. Atje isha me pushime për shtatë muaj. Kjo është arsyeja pse kur firmosa kontratën në Kinë, përfshiva edhe klauzolën e Bokas. Gjithmonë e kam pasur instiktin, e dija se do të rikthehesha në shtëpi”, rrëfeu Karlos Tevez.
“Ky ekip tashmë është ndryshe, është një grup i konsoliduar, unë do të dal në pension me fanellën e Bokas. Edhe në Kinë, te Shangai Shenhua isha një idhull. Kisha numrin 10 në fanellë dhe shiritin e kapitenit, por ka gjëra të tjera, faktorë të tjerë që ndikojnë në moralin tënd, dëshirën tënde”, përfundoi sulmuesi argjentinas.