Portieri i Crystal Palace, Wayne Hennessey ishte nën hetim për një përshëndetje të tij në stilin nazist, në një foto të shkrepur së bashku me shokët e skuadrës. Gjithsesi në fund 32-vjeçari u shpall i pafajshëm sepse veprimi i tij nuk kishte lidhje fare me konotacion nazist, teksa federata angleze e cilësoi si një veprim nga injoranca.
Trajneri i tij, Roy Hodgson ka zbuluar se uellsiani ka filluar të mësojë me zell historinë rreth Adolf Hitlerit dhe Luftës së Dytë Botërore. “Aktualisht ai është i dëshpëruar dhe ka filluar të mësojë gjithçka që mundet”, tha Hodgson. Vetë Hennessey shpjegoi se e ngriti dorën dhe bërtiti me zë të lartë teksa shkrepej fotoja sepse dëshironte të dukej si një pamje e frikshme, pa e ditur kuptimin që mban ai gjest.