Kryeshefi i Njësisë së Ministrisë për Bujqësi në Dibër, Arben Mulladauti, thotë se derrat e egër po bëjnë dëme të mëdha, veçmas në kulturën e misrit, ndërsa një pjesë bukur e madhe e bujqve tashmë nuk po e kultivojnë misrin në tokat e tyre pjellore
Vjollca SADIKU
Dibër, 19 shtator – Buqit dibran edhe këtë verë kanë dëme të mëdha nga derrat e egër në misër, por edhe në kulturat të tjera bujqësore. Prezenca e derrave të egër këtë vit nuk është vetëm në fshatrat e Dibrës, por edhe në pjesët periferike të qytetit.
Në oborret e shtëpive periferike të lagjes “Proi i Vakofit”, në afërsi edhe të objektit të ish fakulteteve të disperzuara të Universitetit të Tetovës në Dibër, mbrëmë derrat e egër tërësisht kanë dëmtuar sipërfaqe të mbjella me misër. Në bisedën që patëm me pronarët e kësaj shtëpie, të cilët kanë një kopsht në oborr të mbjellë me kultura bujqësore, u informuam se disa derra të egër gjatë orëve të natës kanë depërtuar deri në oborrin e kësaj shtëpie. Banorët e disa fshatrave të Dibrës poashtu pohojnë se prezenca e derrave të egër këtë verë është masovik, ndërsa kjo dukuri sidomos është prezent në fshatrat kufitare si Spas, Bomovë, Konjar, Shullan, Mogorçë e tjerë.
Dukurinë në fjalë na e konfirmoi edhe kryeshefi i Njësisë së Ministrisë për Bujqësi në Dibër, Arben Mulladauti. Ai thotë se edhe këtë sezon, këto kafshë të egra janë prezent në territorin tonë dhe bëjnë dëmtime veçmas në kulturën e misrit. Sipas tij, duke marrë parasysh këtë dukuri dhe dëmet që bëhen pothuajse çdo vit ndaj kulturave bujqësore, një pjesë bukur e madhe e bujqve tashmë nuk po e kultivojnë misrin në tokat e tyre pjellore. Përveç dëmeve që shkaktojnë derrat e egër, para një muaji dëme pikërisht në misër kanë shkaktuar edhe arinjtë, të cilët poashtu janë prezent në territoret e rajonit të komunave Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostush. Mulladauti tregon se shumë buq për dëmet që u janë shkaktuar, me padi individuale gjyqësore kërkojnë dëmet t’ua kompenson koncesioneri i pyjeve.
Dukuria në fjalë në mënyrë masive është prezente edhe në Komunën rurale Qendër Zhupë. Banorët e fshatrave Papranik i Madh, Papranik i Vogël, Zhiti, Ballana, Gorenca… thonë se derrat e egër gjatë kësaj sezone kanë shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore . Edhe në këtë rajon dëmtime më të mëdha ka tek mistri. Nga ana tjetër, fillimin e muajit tetor kur fillon edhe sezoni i gjuetisë për derrat e egër, me padurim e presin gjuetarët e Dibrës dhe rajonit. Pothuajse për çdo vit në këtë sezonë gjuetarët gjuajnë derra të egër , mishi i së cilëve ka një çmim të lartë në treg. Shoqatat e gjuetarëve “Stogova 1” dhe “Stogova 2”, janë duke u organizuar për një gjueti të suksesshme gjatë sezonit të ardhshëm dhe shpeshherë mes gjuetarëve debatohet me gjuhën e tyre kush do të fitojë trofeun më të madh në gjah. (koha.mk)