Nga: Besnik EMINI
Kishte vite që po ndërtohej një godinë e madhe. Më e madhja që ndonjëherë ishte ndërtuar në atë mjedis. Përfundimi i kësaj ndërtese nuk kishte pasur një datë që dihej për të tjerët, por ishte diçka që do të përfundonte “së shpejti”. Ishte verë kur u përhap lajmi se në shtator të atij viti do të përfundonin tërë punët ndërtimore dhe ajo do të jetë e përdorshme. Ishte fillimi i vitit shkollor dhe godina e re ishte parashikuar të jetë shkolla e re. Pleqtë e fshatit flisnin që, kur bëheshin objekte të rëndësishme për një vend a zonë e që kishin rëndësi të përgjithshme, zakonisht ndodhte që ndonjë punëtor të humbte jetën, sikur godina ta bënte vetë kurban. Kështu kishte ndodhur edhe me shkollën. Gjatë procesit të ndërtimit të objektit një punëtor ishte rrëzuar nga muret e saja të larta dhe e kishte humbur jetën. Kjo ndodhi ishte përfolur dhe kishte trazuar rrëfimet se këtij rregulli të pashkruar nuk mund t’i iket, duke u mbështetur rrëfimet e shumta të cilat shkonin deri në mistere të pazbërthyeshme për imagjinatën tonë.
Çerdhet ose foshnjoret në atë kohë ende nuk ishin hapur në mesin tonë, ndërsa në vend të qëndrimit në to, fëmijët e moshës parashkollore kryenin aktivitete gjimnastike nëpër drunjtë e kumbullave, mollëve dhe pemëve të tjera të afërta. Mbathjet model “patika” dhe veshjet e ndryshme dallonin për nga ngjyrat, por jo për nga emrat e prodhuesve tanimë të barrikaduar në tregjet ndërkombëtare dhe lokale si ”brende”. Televizori me ekran me ngjyra ende nuk kishte filluar ta poshtërojë krenarinë e atyre që në shtëpi kishin ende televizor me ekran bardh e zi. Muzika lëshohej me kaseta, ndërsa në “shishe” plastike sapo kishte filluar të shitej vetëm një lloj vaji dhe uthulla.
Duke qenë se ne nuk kishim vijuar asnjë çerdhe ose foshnjore paraprake, hyrja në klasën e parë ishte edhe takimi ynë i parë me shkollën. Kishte qenë fare e rastit që dita e parë në shkollë të ishte e lidhur me hapjen solemne të shkollës së re. Godina gjigante dykatëshe e kishte lënë nën hije shkollën e vjetër përdhese aty pranë, e cila s’kishte se si mos të vuante nga braktisja dhe humbja e famës, por më së shumti do ta ketë vuajtur mungesën e brohoritjes së nxënësve që nguteshin të futen dhe të dalin nga dera e saj duke i kërcyer me vrap shkallët e pakta pranë derës. Të vetmet gjëra që ta përkujtonin shkollën e vjetër në mjediset e shkollës së re ishin ora e murit me kurdisje mekanike me numra romakë, e cila duhej ta maste kohën për zilen, dhe zilja e dorës, një kambanë e vogël e vendosur mbi një bisht druri e që përdorej kur nuk punonte zilja elektrike.
Bardhësia e mureve të shkollës së re në sytë tanë krijonte një përshtypje për madhështinë e saj dhe plot mistere për pamjen e brendisë së saj. Mirëpo, futja në të në ditën e parë të lëshimit në punë duhej të kryhet me procedura të parapara paraprakisht si pjesë e ceremonisë solemne, ndërsa nxënësit duhej të qëndronin të rreshtuar përpara shkallëve në hyrje të shkollës.
Në ditën e parë të ardhjes në shkollë në atë kohë prindërit nuk i sillnin fëmijët personalisht në shkollë, por ata vinin vetë me forca “të bashkuara” ose me ndonjë nxënës të moshës tjetër nga fqinjësia e përafërt.
Atë ditë në hyrje të shkollës, në dy skaje, ishin montuar ca kuti të zeza zërimi, të cilat lëshonin ca zëra të çuditshëm, e që vite më vonë kuptuam se ky lloj zëri i papërcaktuar me fjalor shkencor quhet “foni”, ku shkronja e fundit zgjatet sikur të ishte me e vlefshme se të tjerat. Kohë pas kohe dëgjohej zëri provues i një personi me mantel të kaltër që thoshte “një-dy”, “një-dy”, e që përpiqej ta rregullojë cilësinë e parametrave të zërit duke rrotulluar disa susta në një kuti të zezë horizontale të vendosur mbi një bankë shkollore, nga shpina e së cilës dilnin kabllo të shumta që shpërndaheshin gjithandej.
Programi solemn ishte i mbushur me referate të gjata që i lexonin mësuese e mësuese, rreshtat e përmbajtjes së të cilave nuk mund t’i kuptonim mirë. Në fund recituan nxënësit që kishin mësuar përmendsh vjershat e shkëputura nga lektyrat shkollore nën kujdesin e mësuesve. Mbi kokat e nxënësve që recitonin vareshin flamujt e mëdhenj zyrtarë të vendosur në gypa të gjatë nga alumini.
Pasi përfunduan të gjitha procedurat solemne, zyrtare dhe recituese, u ftuam klasë për klase të futemi brenda godinës që ishte kulmi i arkitekturës edukative-pedagogjike shtetërore. Që në momentet e para ndjemë aromën e cila ishte përzierje e ngjyrës, pastërtisë dhe diçkaje të pasqaruar, sikur ndonjë aromë e ardhur nga largësitë kozmike. Nëpër korridore ishin shkruar parulla të shumta me ngjyrë të kuqe e të kaltër, të cilat ne nuk i kuptuam sepse ende nuk i kishim mësuar shkronjat, sepse në atë kohë shkronjat mësoheshin vetëm në shkollë e jo gjetiu para futjes në shkollë.
Dyshemeja në klasë ishte e shtruar nga zbulimi tejet modern i kohës e që ishte plastmasë në formë të kutive, që ishte si një tabelë shahu, të cilën ne së pari e provonim nëse ishte e rrëshqitshme ose jo.
Pasi ishim futur në klasën e cila kishte karrige për të gjithë ne, madje edhe disa karrige tepronin, në klasë u fut mësuesi ynë i cili mbante në dorë një libër të madh me kapakë të kuq, po aq të kuq sa ngjyrat e revolucionit të dekadave të mëparshme, që më vonë kuptuam se i thonë “Ditar”. Aty shënoheshin shumë informacione për nxënësit, ndër to edhe më e rëndësishmja – notat. Aty mësuesi shkruante vetëm me penë e assesi me laps kimik. Mësuesin e ndoqi pas një aromë nga uji i kolonjës, gjë që e shtoi edhe më tepër seriozitetin e atmosferës në të cilën gjendeshim. Me vete i kishim marrë edhe çantat e shpinës me pajisjet shkollore dhe librat që nga dita e parë e shkollës. Brenda saj një kuti plastike me “plakat” –copëza plastike trekëndëshash, katrorësh e rrethesh me ngjyra e dimensione të ndryshme, diç më të vogla e më të mëdha se monedhat. Çantat ishin të gjitha të dekoruara me motive të ilustruara, që nuk kishin përmbajtje të frikshme nga bota fantastiko-shkencore, por ishin nga bota bimore dhe shtazore e padëmshme për imagjinatën fëmijërore.
Përballë nesh ishte dërrasa e gjelbër, së cilës të gjithë i thoshin dërrasa e zezë, e që ishte misteri më i madh pse i thonë ashtu. Vite më vonë mësuam se në të kaluarën në shkollën e vjetër dërrasat e zeza vërtetë kishin qenë të tilla. Mbi dërrasën e zezë në kornizë të dekoruar ishte vendosur fotografia e një burri me syze, që shikonte në një drejtim të papërcaktuar e që më vonë kuptuam që ishte e kryetarit të dikurshëm të shtetit, e që ishte inventar i çdo klase.
Korridoret e shkollës ishin të mbushura me fotografi portretesh luftëtarësh partizanë nga popujt dhe popullsitë e ndryshme të shtetit, ca më të kthjellëta e ca më të mjegullta.
Për dalim nga shkolla e vjetër, në shkollën e re çezmat me lavamanë dhe tualetet ishin brenda, krahasuar me të vjetrën që i kishte jashtë në një hapësirë të largët.
Nëpër dyert e ndryshme të shkollës me shkronja të kaltra mbi copëza katërkëndëshe nga plastika e bardhë ishin shënuar emërtimet e klasave ose për çka shërbente hapësira e caktuar. Në mesin e këtyre mbishkrimeve më i veçanti ishte mbishkrimi “Punëtorët Ndihmës”, për punonjësit e mirëmbajtjes së shkollës, e që ishte emërtim ndryshe nga ai se si quheshin në përditshmëri si “shërbëtorë”, e që ishte i papranueshëm për shoqërinë pa klasa në të cilën jetonim. Shkolla i kishte edhe kabinetet e veta për disa lëndë, që kishin nevojë për më shumë pajisje shpjeguese. Ndër hapësirat e ndryshme ishte edhe një hapësirë e cila në derën e saj kishte mbishkrimin shumë premtues për fitore të reja përballë urisë “Mensa”, hapësirë e cila nuk u lëshua asnjëherë në përdorim, e që ishte një tregues që diçka nuk funksiononte si duhet në planet dhe parashikimet pedagogjiko-edukativo-arsimore-ushqimore të kohës.
Ishte shtator, ndërsa vera ende ishte e ngrohtë. Mësuesi ynë, me një shkumës të bardhë, i kishte shënuar vijat e para të pakuptimta për ne në dërrasën e gjelbër, që i thoshin e zezë, ose në dërrasën e zezë që ishte e gjelbër. Ne duhej t’i përsërisnim në fletore ato që i shihnim. Pa ato vija (s)provuese zor se do kisha mundur ndonjëherë ta shkruaj edhe këtë tekst. (shenja)