Me një ritëm të tillë të rritjes, Maqedonia do të arrijë standardin e qytetarëve evropian, gjegjësisht të vendeve të zhvilluara në 50-60 vjet. Për këtë arsye, Goshevi konsideron se është koha për të ndërmarrë hapa konkret për të përmirësuar kushtet për zhvillimin ekonomik dhe në drejtim të saj, të angazhohen të gjithë të involvuarit në zbatimin e një shoqërie të drejtë, duke filluar nga qeveria, përmes gjyqësorit, e deri te administrata
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 janar – Gjatë viteve të fundit, ekonomia e Maqedonisë rritet me shkallë mes 2 dhe 3 për qind, por megjithatë – kjo nuk është një rritje e madhe ekonomike që do të rriste standardin e jetës. Maqedonia në mënyrë drastike po mbetet prapa Evropës, e këtë posaçërisht po e ndjejnë qytetarët, të cilët pjesën më të madhe të të ardhurave e shpenzojnë për të mbuluar shpenzimet themelore. Raportet nga institucionet e njohura botërore që parashikojnë rritjen e ekonomisë në vend, por edhe më gjerë, për rajonin dhe botën, janë të shpeshta, shkruan gazeta KOHA. Një raport i tillë është nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në parashikimin e tij të fundit tregoi se këtë vit – rritja ekonomike do të shkojë lart dhe pritet të jetë mbi 3.6 për qind, ndërsa nga viti ardhshëm – rritja do të jetë edhe më e madhe. Por rritja ekonomike e shprehur në përqindje nuk është një tregues i mjaftueshëm i situatës reale, gjë që tregon për dallime të mëdha midis vendeve të zhvilluara dhe Maqedonisë.
PRODUKTIVITETI I DOBËT I ADMINISTRATËS
Përkatësisht, BPV për person në Evropë arrin në 36 mijë euro, ndërsa në Maqedoni mezi arrin 6 mijë euro. Kjo situatë tregon qartë se nevojiten ndryshime të mëdha në ekonomi, të cilat do të rezultojnë në rritje më të lartë, por rritje që do të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve. Ekspertët ekonomikë theksojnë se arritja e niveleve të rritjes së BPV-së që do të rezultojë në përmirësimin e standardeve të jetesës kërkon para së gjithash një shoqëri të drejtë, ku do të sundojë ligji, dhe që është e drejtë në zbatimin e ligjeve.
Për profesorin Marjan Petreski nga Kolegji Amerikan, nivelet më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes së BPV-së janë të mundshme vetëm nëse ekonomia është ristrukturuar dhe konkurrenca rritet në mënyrë të konsiderueshme. Ai thekson se janë të nevojshme reformat strukturore në disa pika kryesore, dhe si pikë të parë, ai tregon produktivitetin e punës, i cili në masë të madhe përcaktohet nga arsimi.
“Ja, do të marrë të drejtën për të vulgarizuar këtë dhe të them se dëshira e flaktë për të punuar në administratën publike, vetëm për të siguruar çfarëdo rroge pa asnjë ose përpjekje minimale është në kundërshtim me çdo angazhim për të investuar në njohuri dhe aftësi që do të sillte shoqërinë në një shkallë më të lartë të zhvillimit. E dyta është produktiviteti i makinave. Merreni industrinë e tekstilit, e cila me vështirësi lufton me rritjen e pagës minimale, sepse një pjesë e asaj industrie në mënyrë të pamjaftueshme është e avancuar teknologjikisht dhe kështu nuk mund të gjenerojë vlertë që mund të mbështesë lehtësisht rritjen e pagave. Dhe, përkundrazi, disa fabrika të tekstilit që kanë bërë një investim të rëndësishëm teknologjik, tash më po bëjnë hapa domethënës për sa i përket produktivitetit dhe të tyre edhe në lidhje me pagesat edhe me fitimet”, shpjegon profesori Petreski.
Ai gjithashtu theksoi se si pikë e tretë kryesore është efikasiteti me të cilin i përdorim resurset, për çka, sipas bindes së tij, faktor kryesor është stabiliteti institucional. “Një fabrikë mund të ketë punëtorët më të mirë dhe makinat më të mira, por nëse ballafaqohet me shërbim të dobët kur i drejtohet administratës publike, ose nuk mund të realizojë të drejtat e veta për shkak të mjedisit të dobët juridik dhe sundimit të dobët të ligjit, atëherë rritja e kompanisë, dhe nga këtu edhe e gjithë ekonomisë, do të dëmtohet dukshëm”, theksoi Petreski.
RITMI I RREMË SOLID
Qëndrim të ngjashëm ka edhe ish guvernatori, Petar Goshev, i cili theksoi se pa një sistem të drejtë ekonomik dhe politik dhe pa siguri juridike, nuk mund të ketë vazhdimësi dhe rritje të ekonomisë.
“Stimulimi i rritjes ekonomike është një proces shumë i ndërlikuar dhe nuk mund të përmirësohet vetëm me një ose dy masa. Përkundrazi, rritja e saj varet nga puna dhe ndikimi i të gjithë të përfshirëve, si ato të masave qeveritare ashtu edhe atyre të gjyqësorit, administratës, drejtësisë, zhvillimit teknologjik dhe vet firmave dhe punëtorëve. Por nëse kemi një shtet ku të gjithë janë të korruptuar dhe ku nuk ka drejtësi, njerëzit ikin dhe kapitali zhduket. Një sistem i qëndrueshëm ekonomik dhe politik është i domosdoshëm. Sa më të drejtë të jenë sistemet ekonomike dhe politike, aq më shumë do të ketë rritje të ekonomisë”, thotë Goshevi. Ish guvernatori shton se ka sinjale që tregojnë se aktiviteti i investimeve në vend është në rënie dhe theksoi se njëri prej sinjaleve është rënia e interesimit për kredi që i marrin kompanitë nga bankat. “Kjo, sepse kreditë janë një mënyrë e zakonshme për të zgjeruar ose përmirësuar teknologjinë, dhe mungesa e kreditimit është shenjë për rënien e interesimit për investime”, shprehet ai.
Në Maqedoni, zakonisht gjatë raportimit për rritjen ekonomike publikohen përqindjet për rritjen ekonomike, që lëvizin rreth 3 për qind. Megjithëse ato ndryshojnë nga viti në vit, përshtypja është se po rritemi me një ritëm solid. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse rritja prej 3 për qind krahasohet me rritjen prej 1 ose 1.5 për qind tipike për vendet evropiane. Ekspertët tregojnë se rritja në vendet e zhvilluara që tash më kanë standard më të lartë në numër real është shumë më e lartë se e jona, por kjo nuk do të thotë se përqindjet janë të gabuara. “Kur publikohen përqindjet e rritjes ekonomike, ato janë një pasqyrë reale e gjendjes, por dallimi është në themel për llogaritjen e rritjes. Në vendet me zhvillim të ulët është shumë më e lehtë të arrihen nivele më të larta të rritjes, sepse baza e rritjes është e vogël, ndërsa në vendet me zhvillim të lartë të teknologjisë, nuk bëhet rritje aq e madhe, por megjithatë ato ende janë në zhvillim”, shton Goshevi.
Ai vuri në dukje se me një ritëm të tillë të rritjes, Maqedonia do të arrijë standardin e qytetarëve evropian, gjegjësisht të vendeve të zhvilluara në 50-60 vjet. Për këtë arsye, ai konsideron se është koha për të ndërmarrë hapa konkret për të përmirësuar kushtet për zhvillimin ekonomik dhe në drejtim të asaj duhet të angazhohen të gjithë të involvuarit në zbatimin e një shoqërie të drejtë, duke filluar nga qeveria, përmes gjyqësorit, deri te administrata.
NJË E TRETA E AMVISËRIVE KANË PROBLEM ME PAGESËN E FATURAVE
Mesatarisht një e treta e amvisërive në rajon kanë problem me pagesën në kohë të kostove të jetesës në 12 muajt e fundit, tregon hulumtimi vjetor i EUROSTAT për të ardhurat dhe kushtet e jetesës. Sipas të dhënave të EUROSTAT për vitin 2018, rreth 36.9 për qind e amvisërive në vend kanë pasur problem me pagesën në kohë të faturave për jetesë në 12 muajt e fundit, pastaj vijon Greqia me 35.6 për qind, pastaj Bullgaria me 30.1 për qind. Pak amvisëri nuk kanë mundur në kohë t’i paguajnë shpenzimet e kostove në Holandë, Çeki, Suedi dhe Austri – rreth 2 për qind. Në nivel të BE-së, në vitin 2018, pothuajse 7 për qind e amvisërive kanë pasur problem në kohë t’i paguajnë shpenzimet (faturat për ngrohje, energjinë elektrike, gazin, ujin etj) për shkak të probleme financiare. Megjithatë, hulumtimi i EUROSTAT tregon trend të zvogëlimit dhe rënie të kësaj përqindje prej 10 për qind në krahasim me vitin 2013. Ky problem është më i shfaqur midis amvisërive me fëmijë dhe me një prind. Në nivel të BE-së, rreth 14 për qind e amvisërive me një anëtar të rritur dhe së paku një fëmijë janë përballur me probleme për pagesë në kohë të shpenzimeve të faturave. (koha.mk)