Shkup, 11 qershor – Komuna Qendër sot në mëngjes ka filluar me mënjanimin e tarracave ilegale të lokaleve në territorin e kësaj komune. Punëtorët e angazhuar nga komuna fillimisht kanë filluar me mënjanimin e tarracës ilegale të një kafiterie të re në “Rruga e Boemëve”, e cila shtrihet deri në rrugën “Orce Nikollov”, shkruan gazeta KOHA. Banorët përreth për një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se kjo tarracë është ilegale, sepse shihet që është ndërtim i fortë, por autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë masë. Nga Komuna Qendër thonë se kanë lëshuar 16 vendime për mënjanimin e tarracave verore dhe se të gjitha një nga një do të mënjanohen sepse një gjë të tillë nuk e kanë bërë vet pronarët.
“Të gjitha objektet që do të rrënohen kanë shkelur Rregulloren për tarracat verore. Shumë shpesh ato kanë leje për shembull për iks metra katror të tarracës verore, ndërsa ata zënë vend dyfish ose trefish më shumë, dhe pastaj uzurpojnë hapësirë publike”, thonë nga Komuna Qendër.
Në ndërkohë, aksion të njëjtë në Çarshi të Vjetër ka ndërmarrë edhe Komuna e Çairit dhe vet qyteti i Shkupit. Gazeta KOHA merr vesh se nesër (e mërkurë), të gjitha lokalet me tarraca në rrugët e Çarshisë do të marrin vendim për heqjen e tarracave dhe tendave, ndërsa kanë afat që pastrimin e rrugëve ta bëjnë deri të hënën. Në të kundërtën, të hënën nëse nuk ndodhë kjo, atëherë do të pasojë “largimi i dhunshëm” i tarracave dhe tendave në lokalet e Çarshisë. (koha.mk)