Shkup, 10 prill – Seanca konstituive e Kuvendit në të cilën duhet të debatohet për zgjedhjen e Komisionit për zgjedhjet dhe emërimet dhe për zgjedhje të kryetarit të Parlamentit, dhe sot në vazhdimin e dhjetë kaloi me vërejtje dhe replika procedurale, shkruan gazeta KOHA. Sipas informatave që i ka marrë kryesuesi i seancës konstituive Trajko Veljanoski, për vërejtje procedurale deri më tani janë shpenzuar 1095 minuta. Në përqendrim sot ishte kërkesa e deputetëve të LSDM-së që të votohet për kalim deri në pikën e tretë të rendit të ditës – zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. LSDM-ja, duke iu referuar nenit 78, sërish kërkoi nga kryesuesi i seancës Trajko Veljanoski që të kalohet në pikën e katërt të rendit të ditës, gjegjësisht në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa sipas VMRO-DPMNE-së me këtë shkilet e drejta e punës dhe debati duhet të zgjasë derisa nuk shqyrtohet lista me deputetët e paraqitur për zgjedhje. Petre Shilegov kërkoi nga Veljanoski propozimi i mbështetur nga 10 deputetë të vendoset në votim dhe tha se Veljanoski si kryesues me seancën nuk ka të drejtë ta interpretojë Rregulloren. Sipas tij, ai e mban gjithë përgjegjësinë për bllokimin e seancës konstituive. Deputeti i pavarur Pavle Bogoeski theksoi se nuk kërkojnë ndërprerje të debatit, por lidhjes të së dy pikave dhe akuzoi se kryesuesi Veljanoski në kundërshtim me Rregulloren ka penguar votim pas propozimit. Ndaj kërkesës së këtillë, kryesuesi Veljanoski tha se ka dallim për kërkesën gjatë seancës dhe debatit për pikën nga rendi i ditës. “Diçka që ka filluar nuk mund të ndërpritet derisa nuk përfundon”, tha Veljanoski. Ai pyeti se si do të përfundohet me këtë seancë kur gjatë gjithë kohës janë në vërejtje procedurale. Janë shpenzuar 1095 minuta për vërejtje procedurale dhe nuk mund ta sforcojmë Rregulloren përmes tyre, tha Veljanoski, i cili theksoi se edhe për replika janë shpenzuar 523 minuta. (koha.mk)