Shkup, 24 janar – Deri në fund të muajit shkurt, Qeveria do të sjell vendim se cili është opsioni më i mirë për ndërtimin e Qendrës Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup.
Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarë theksoi se ndërtimi i Qendrës Klinike është një prej prioriteteve të Qeverisë.
Investimi do të kushtojë 120 milionë euro prej të cilave 70 milionë euro janë kredi nga Banka e Këshillit të Evropës, ndërsa pjesa tjetër nga Buxheti i RM-së. Afati i ndërtimit të objektit të ri është tre vjet e gjysmë dhe një vit e gjysmë për rikonstruim të ndërtesës së përhershme të klinikave kirurgjike.
“Në objektin e ri do të inkorporohen 21 klinika, ndërsa në lokacionet e tjera do të mbesin Klinika për sëmundje të fëmijëve, kardiologjia, Klinika infektive dhe Klinika për kirurgji maksilofaciale”, theksoi Boshnjakovski.