Nga Lëvizja Anti-bixhoz thanë se të gjitha institucionet kompetente nuk kanë dhënë leje për hapjen e kazinosë në Reçicë të Vogël, prandaj e njëjta edhe nuk mund të hapet. Nëse nuk plotësohen kërkesat e qytetarëve dhe nuk mbahen premtimet e dhëna nga bartësit e institucioneve, kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të protestojnë derisa këto kërkesa të merren në konsideratë dhe të plotësohen
Urim HASIPI
Tetovë, 3 korrik – Lëvizja Anti-Bixhoz edhe njëherë përmes një konference me gazetarë njoftojnë opinionin se kazinoja që është paraparë të hapet në një objekt në Reçicë të Vogël nuk duhet të hapet, edhe përkundër faktit se në atë objekt po punohet dhe po bëhen të gjitha parapërgatitjet për hapjen e saj, shkruan gazeta KOHA. Madje, nga kjo Lëvizje shprehen të sigurt se kazinoja në Reçicë nuk do të lejohet të hapet dhe ashtu sikurse i kanë montuar aparatet e lojërave të fatit, shumë shpejtë do të çmontohen. Nga kjo Lëvizje theksuan se betejës për mos lejimin e hapjes së kësaj kazinoje do t’i shkojnë deri në fund me organizimin edhe të një proteste për të cilën do të njoftojnë paraprakisht.
“I bëjmë me dije opinionit dhe të gjithëve se kjo kazino nuk do të hapet dhe ashtu si i kanë montuar, shumë shpejtë do t’i çmontojnë aparatet. Ata që i vazhdojnë punimet në Reçicë të Vogël pa asnjë dokument përkatës dhe nuk i përfillin kërkesat tona dhe të qytetarëve, ua bëjmë me dije se shumë shpejt do ta kuptojmë fuqinë e cila i mbështet dhe do ta demonstrojmë me emër dhe mbiemër”, tha Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti-bixhoz.
Nuhi Ganija nga kjo Lëvizje deklaroi se qëllimi final është që kazinotë dhe bastoret ti kemi jashtë qytetit, jashtë institucioneve edukative, arsimore dhe fetare, pasi siç u shpreh ai, vendin nuk kanë brenda qytetit dhe në afërsi të këtyre institucioneve. Jushi Emurllai tha se amendamentet që kjo Lëvizje ka parapërgatitur për Ligjin e ri për lojërat e fatit parashohin që largësia e objekteve që organizojnë lojëra të fatit të jetë më së paku 3 kilometra nga vendbanimet, dhe se për këtë – kanë përkrahje nga grupe parlamentare dhe deputetë, të cilët i kanë pranuar këto amendamente që janë dërguar nga përfaqësuesit e Lëvizjes Anti-Bizhoz.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi tha se ka bazë të përkrahet iniciativa që tre kilometra larg vendbanimeve të ndërtohen kazinotë. “Kemi bazë të plotë për të mbështetur amendamentet e tyre, aq më tepër që ato amendamente kombinohen komplet në mënyrë të plotë me vendimin e Këshillit tonë komunal, i cili në kuptimin e distancës – ndoshta është më i vogël, por në kuptimin e përfshirjes së institucioneve, është më i gjerë dhe shkon tamam konform asaj që është vendim i Këshillit komunal të Tetovës. Mendoj se duhet të përkrahen pikërisht edhe propozimet në ndryshimin e Ligjit, aq më tepër që tanimë është gjithnjë e më e zëshme kërkesa që këto objekte të mos pengojnë dhe të mos gjenden në brendi të qytetit”, theksoi ajo. Kryetarja e Tetovës ka konfirmuar edhe njëherë se nuk ka vendim për transformim të veprimtarisë në atë objekt.
“Dëshiroj që t’ju informoj edhe njëherë se ai objekt nuk posedon lejen për transformim të veprimtarisë, leje të cilën e jep Komuna e Tetovës. Nuk posedon po ashtu edhe lejen për legalizim të katit të fundit, ndërkohë që është objekt me leje për katin përdhes, bodrumin dhe katin e parë. Në të njëjtën kohë, në kërkesën tonë që kemi bërë në Ministrinë e Financave, jemi të informuar se ky objekt nuk ka leje për të realizuar aktivitetin për të cilin është paralajmëruar dhe në të njëjtën kohë nga Qeveria kemi marrë po ashtu informacionin e fundit se u është refuzuar edhe kërkesa për të pasur licencë për atë objekt, që nënkupton se çfarëdoqoftë veprimtarie aty e asaj natyre, është jo legale, dhe në të njëjtën kohë ne kemi qenë në komunikim edhe me institucionet e tjera të cilat duhet të ndjekin dhe të inspektojnë veprimtarinë e tyre”, tha Teuta Arifi.
Nga Lëvizja Anti-bixhoz thanë se të gjitha institucionet kompetente nuk kanë dhënë leje për hapjen e kazinosë në Reçicë të Vogël, prandaj e njëjta edhe nuk mund të hapet. Nëse nuk plotësohen kërkesat e qytetarëve dhe nuk mbahen premtimet e dhëna nga bartësit e institucioneve, kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të protestojnë derisa këto kërkesa të merren në konsideratë dhe të plotësohen. (koha.mk)