Shkup, 21 shkurt – Deri në fillim të muajit mars priten propozime konkrete për zgjidhjen e problemit me plasmanin e mollëve. Deri atëherë prodhuesit e mollëve dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave intensivisht do të bisedojnë me qëllim që të gjindet mënyrë si të dizajnohet mbështetja në të ardhmen.
“Në Resnje kemi situatë shumë të vështirë dhe të gjithë prodhuesit e mollëve kanë problem me plasmanin. Mollët nuk kanë cilësi të mirë dhe për këtë për momentin blerësit na shantazhojnë dhe i blejnë me çmim shumë të ulët. Tani ne jemi në një situatë për të kërkuar mbështetje sociale nga Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë. Kemi hasur në mirëkuptim nga Ministria dhe dakordohemi që në periudhën në vijim të kemi bisedime intensive”, deklaroi Mende Ivanovski, kryetar i grupit të punës së prodhuesve të mollëve pas takimit të sotëm në Shkup me përfaqësuesit nga Ministria e Bujqësisë.
Shtoi se nëse nuk u jepet mbështetje prodhuesve të mollëve përmes masave që do të dizajnohen nga ana e Ministrisë, ekziston rrezik që të braktiset prodhimtaria e mollëve.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se për momentin për shkak të zgjedhjeve presidenciale nuk kanë mundësi të ndryshohen programet vjetore, por se duhet të shqyrtohen mundësitë si në të ardhmen t’u ndihmohet prodhuesve të mollëve.
“E dimë se pemëtarët janë në një situatë të rëndë, arsyeja është se ka prodhimtari të madhe, ndërsa tregjet e huaja përballen me teprica. Prandaj, u pajtuam së bashku për të bërë analiza si atë masë ta dizajnojmë dhe ajo të kontribuojë për amortizimin e humbjeve dhe për zgjidhjen e plasmanit. Deri më 1 mars do të dalim me propozime të përbashkëta dhe masa do të sillet pas zgjedhjeve presidenciale, sepse tani jemi të kufizuar për ndryshim në programin vjetor për shkak të periudhën parazgjedhore”, deklaroi Trajan Dimevski, shef i Kabinetit të ministrit të Bujqësisë.
Lidhur me raportimin e prodhuesve të mollëve për pagesën e subvencioneve bazë për kultivimin e mbjelljeve të pemëve deri në fund të muajit mars do të kryhet edhe pagesa e subvencioneve shtesë prej tre denarëve nga Programi për vitin 2018 deri më 30 qershor, nga Ministria e Bujqësisë informojnë se në takim, drejtori i Agjencisë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, Nikollçe Babovski ka theksuar se këto kërkesa do të plotësohen, sepse ato janë të lidhura edhe me afatet ligjore për pagesë.
Për momentin, në depot, sipas prodhuesve të mollëve, ka rreth 60 mijë tonë mollë, cilësia e të cilave pritet të ulet me rritjen e temperaturave. Blerja është e dobët dhe siç theksojnë prodhuesit e mollëve, blihet sasi shumë e vogël rreth 200 tonë mollë në ditë. Kryesisht eksportohet në Rusi, Bullgari dhe Irak.
Prodhuesit e mollëve të dielën protestuan në Resnje duke kërkuar zgjidhje të problemit me plasmanin.