Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 mars – Maqedonia deri në vitin 2050 do të humb 4.4 për qind të popullatës. Kjo me fjalë të tjera nënkupton se në 32 vitet e ardhme do të humbet një qytet i tërë si Kumanova.
Ose popullata e Maqedonisë do të zvogëlohet nga 2 milionë e 83 mijë në vitin 2017 në një milion e 991 mijë në vitin 2050, shkruan gazeta KOHA.
Sipas parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shteti më i goditur nga humbja e popullatës është Serbia që do të humb 33.2 për qind të popullatës apo një Beograd të tërë . Popullatë në Slloveni do të zvogëlohet për 23 për qind, ndërsa në Bullgari për 22 për qind. Shqipëria do të humb afër 3.6 për qind të popullatës apo nga 2 milionë e 930 mijë në 2 milionë e 825 mijë. Sipas projeksioneve i tërë rajoni do të ballafaqohet me zvogëlimin e numrit të popullatës , me përjashtim të Kosovës. Kosova do të shënojë rritje të popullatës prej 1.9 milion në 2 milionë e 223 mijë.
Sipas ekonomistëve , humbja kaq e madhe e popullatës tek ne shkaktohet si nga ulja e natalitetit, ashtu edhe nga shpërngulja e madhe të popullatës që si procese do të ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Maqedonisë.
Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi të gjitha masat e tanishme për rritjen e natalitetit apo tentimet e zbehta për të mbajtur fuqinë punëtore në Maqedoni nuk kanë arritur të krijojnë një perspektivë më të qartë të jetesës në vend, me qëllim popullata që e ka mendjen të ikë , së paku të mendojë të mbetet në vendlindje .
“Aktualisht në rastin e Maqedonisë është shqetësuese se biletë në një drejtim marrin jo vetëm mjekët, inxhinierët e profileve të ndryshme, apo specialistët e informatikës, por edhe zanatlinjtë e profileve të ndryshme. Bile në kohë të fundit na ikin edhe profesorë universitar në drejtim të shteteve arabe si trend i ri përkundër jetesës së shtrenjtë në këto shtete”, thekson për KOHA, Turkeshi. Sipas tij, anëtarësimi në strukturat euroatlantike do të zbusë pak këto trende negative të ikjes jashtë, por përmirësimi më i madh i situatës brengosëse nuk do të ndodh brenda natës. Turkeshi shton më tej se ulja e natalitetit dhe ikja e popullatës jashtë shtetit është një problem i madh që shqetëson jo vetëm Maqedoninë, por të gjitha shtetet në rajon që përpiqen me rezultate të dobëta të luftojnë këto fenomene.
“Është folur në të kaluarën dhe po flitet akoma për masat e ndryshme për zbutjen e këtyre problemeve, por megjithatë çështja e parë dhe kryesore për rritjen e natalitetit dhe uljen e trendit të mërgimit jashtë, është që njerëzit të shohin një perspektivë të qartë të jetojnë në Maqedoni, të investojnë këtu, si dhe të paramendojnë edhe jetesën e fëmijëve të tyre në këtë shtet. Kjo kërkon që shteti me të vërtetë të jetë shërbëtor i qytetarit në çdo aspekt si dhe funksionimin si duhet të sistemit arsimor, shëndetësor dhe gjyqësor për të cilin shpesh nuk nevojitet më shumë para apo punësime, por një menaxhim më i mirë i resurseve ekzistuese”, thotë Turkeshi.
Element tjetër i rëndësishëm për zbutjen e ikjes së popullatës që shkatërron edhe themelet për një rritje më të madhe ekonomike, sipas Turkeshit, është edhe rritja e pagave së paku për dhjetë për qind, hapja e vendeve të reja të punës nga sektori privat, mbështetja më e madhe e sipërmarrjes dhe zanateve, ulja e papunësisë me vende pune me paga më të larta etj.
Ndryshe, edhe çështjet e shumta të pazgjidhura politike në rajon, mosndarja e qarta e pushteteve ndërmjet kuvendit, qeverisë dhe gjyqësorit, mungesa e vëmendjes më të madhe të qendrave perëndimore të vendosjes si dhe thënia e Çerçilit se “popujt e Ballkanit prodhojnë me shumë histori se sa që munden ta përballojnë”, goja plot reforma e qeverive të rajonit që pak jetësohen në praktikë, renditen nga njohësit e rrethanave politike të rajonit si disa nga shkaqet pse Ballkani Perëndimor shumë ngadalë po stabilizohet në aspektin politik dhe ekonomik. (koha.mk)