Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 shkurt – Bllokadat greke dhe vartësia e ekonomisë vendore prej Korridorit 10, respektivisht Portit të Selanikut, si dhe mosndërtimi i Korridorit 8 si rrugë alternative që do të mundësonte shfrytëzimin e porteve shqiptare dhe bullgare, për çdo vit i kushtojnë Maqedonisë prej 50 deri 100 milionë euro harxhime shtesë, shkruan gazeta KOHA. Greva disajavore e bujqve grek që filloi më 29 janar për shkak të rritjes së tatimeve, që aktualisht nuk ka të ndalur shkaktoi bllokimin e kalimit kryesor kufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë në Evzoni-Bogorodica, ishte vetëm rasti i fundit i bllokimit të kufirit ndërmjet dy shteteve. Pengesa e transportitmit të lirshëm të mallrave, shkaktoi kokëdhembje të re për biznesin vendor për shkak të bllokadës së transportit rrugor. Nga bllokada greke, më të goditura janë xehetaria, metalurgjia, industria ushqimore dhe farmaceutike. Në portin e Selanikut vlerësohet se është bllokuar së paku mall me vlerë prej 160 mijë tonë, që pret të transportohet, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në shtetet evropiane.
Mungesa e hekurudhës drejt Shqipërisë
Ekonomia e Maqedonisë tek pas përfundimit të bllokadës do të numërojë dëmet e aktiviteteve ekonomike nga bllokada e fundit, për shkak se në portin e Selanikut janë të bllokuara me qindra mijë tonë lëndë të para dhe repromateriale për industrinë vendore. Kompanitë transportuese, por edhe afaristët janë të brengosur, por edhe të mllefosur se për disa vite me radhë e pëson biznesi si për shkak të bllokadave të kufirit, por edhe për shkak të grevave të vazhdueshme në portin e Selanikut. Mungesa e alternativës moderne rrugore dhe hekurudhore në drejtim të Shqipërisë dhe Bullgarisë i kushton shtrenjtë Maqedonisë, e cila në vend që të bëhet nyja kryesore transportuese në Ballkan duke shfrytëzuar pozitën e volitshme gjeografike, është shndërruar në vrimë të zezë transportuese , për shkak se në ndërkohë, të gjitha fqinjët ndërtuan akset e tyre moderne të transportit duke anashkaluar Maqedoninë. “Të gjitha qeveritë e deritanishme kishin vazhdimësi në atë që nuk realizuan strategji për rrjetin infrastrukturor në pjesën e rrugës dhe hekurudhës me Bullgarinë dhe Shqipërinë , për të cilën askush nuk parashikonte se do të ketë zhvillim të shpejtë ekonomike. Nga ana , tjetër mungesa e alternativës dhe investimeve serioze në korridorin tetë si dhe komunikimeve të këqija me Bullgarinë shkakton humbje të mëdha për ekonominë vendore ku në vjet për shkak të bllokadave humbin prej 50-100 milion euro”, thotë për gazetën KOHA kryetari i Odës ekonomike maqedono-bullgare, Zore Temelkovski. Edhe përfaqësuesit e tjerë të biznesit vlerësojnë se Maqedonia nevojitet sa më shpejt të ndërtojë hekurudhën në drejtim të Bullgarisë dhe Shqipërisë. “Në këtë aspekt, mungesa e daljes alternative në lidhje me hekurudhën është çështje kyçe. Qysh në periudhën e pavarësisë së Maqedonisë u bë e qartë se Maqedonisë patjetër i nevojitet alternativë efikase e hekurudhës sidomos për transportin efikas të derivateve të naftës. Për dallim prej ne, fqinjët ndërtuan më shumë akse rrugore duke filluar nga Via Egnacia që funksionon , ndërsa paralajmërohet edhe aksi Adriatik përmes Shqipërisë. Ne numërojnë në vend dhe do të anashkalohemi”, thotë Antoni Peshev nga Oda ekonomike e Maqedonisë. Nga ana tjetër edhe transportuesit ankohen, se pas përfundimit të bllokadës do të mund të numërojnë dëmet që nuk do të jenë të vogla. “Transportuesit, por edhe kompanitë për të cilat ata transportojnë mallrat me siguri se do të kenë humbje për shkak të vonesës së dorëzimit të mallit si dhe faktit se prodhime të caktuara nuk durojnë ndalesa. Me çdo ndalesë rriten harxhimet, kemi më pak qarkullim të punës dhe më pak transport. Në ditë një kamion i zbrazët që ka nisur të ngarkojë mall në ndonjë nga portet greke ka humbje prej 100 euro, ndërsa kamionët e ngarkuar në varësi prej llojit të mallit që transportojnë në ditë kanë humbje prej 450 euro”, thotë Biljana Muratovska nga shoqata e transportuesve, “Makamtrans”. Në ndërkohë , bllokada e fundit , është vetëm njëra prej një sërë bllokadash që kanë ndodhur në vitet e fundit për shkak të së cilave biznesi vendor vuan pasoja të ndryshme.
Bllokadat dhe emigrantët shtuan humbjet
Në qershor të vitit të kaluar, analiza e Odës ekonomike të Maqedonisë e bazuar në anketën me 650 kompani tregoi se bllokada nga ana e emigrantëve si dhe për shkak të grevës së punëtorëve të Doganës greke dhe punëtorëve në Portin e Selanikut ka shkaktuar humbje të llojeve të ndryshme. “Humbjet kanë të bëjnë me akumulimin e harxhimeve për qëndrimin e mallrave dhe kontejnerëve, rritje e çmimit të lëndës së parë për shkak të riorientimit të mallrave në drejtime rrugore dhe porte tjera alternative, presion ndaj likudititetit të kompanive për shkak të pagesës me kohë të obligimeve financiare ndaj partnerëve për mallin e dorëzuar me kohë, pa marrë parasysh se i njëjti nuk ka arritur në kapacitetet prodhuese të kompanive vendore. Harxhime të paparashikueshme për blerjen e sasive shtesë të repromaterialeve nga partner tjerë me çmime më të larta për të respektuar afatet e dorëzimit të prodhimeve dhe mbajtjes së partnerëve tradicional , fitimi i humbur për shkak të mosvazhdimit me kohë të procesit prodhues dhe dorëzimit të prodhimeve për partnerët afarist, anulimi i kontratave për shkak të uljes së cilësisë dhe mosrespektimit të marrëveshjeve, e kështu me radhë”, tregon analiza e Odës ekonomike të Maqedonisë kushtuar pasojave të bllokadave të kufirit ndërmjet dy shteteve dhe grevës së punëtorëve në portin e Selanikut në mesin e vitit 2016.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.