Shkup, 27 shtator – Me përballjen Boreci – Rabotniçki, e cila luhet sot (e shtunë) me fillim në ora 15.00, vazhdojnë përballjet në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë së Veriut. Derisa, pesë përballjet tjera të javës së 7-të do të luhen të dielën. Spikat përballja mes dy skuadrave shqiptare, Struga Trim Lum – FC Shkupi, ndeshje kjo e cila do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Strugë, njofton gazet koha.mk. Favorit në letër janë bardhekaltërit, të cilët këtë sezon po luajnë mjaftë mirë dhe me plot meritë mbajnë pozitën e dytë në tabelën e klasifikimit dhe pas Shkëndijës janë pretendentë për titullin e kampionit. Por, rolin e favoritit në letër djemtë e trajnerit Muharem Bajrami duhet ta dëshmojnë në fushën e gjelbër, pasi edhe skuadra strugane po luan mirë këtë sezon dhe dëshmoi se do të jetë kundërshtar i fortë për të gjitha skuadrat, sidomos kur luajnë në fushën e tyre.
Lideri aktual Shkëndija, e cila të enjten përfundoi aventurën evropiane, ku u mund nga skuadra angleze Totenham me 3-1, u rikthehet sfidave në kampionat. Kundërshtari i kuqezinjve do të jetë Pelisteri, e cila në fakt edhe do të jetë nikoqir i kësaj përballje.
Skuadra tjetër nga Tetova, KF Renova në fushën e saj do të pret Makedonija Gj.P., një kundërshtar i papërshtatshëm ku djemtë e trajnerit Bujar Islami do të duhet të japin maksimumin në rast se dëshirojnë tre pikët nga kjo përballje.
Në përballjet tjera, kampioni aktual Vardari do të pret Bellasicën, ndërsa Akademija Pandevi do të pret Sileksin. Ndeshjet e javës së 7-të në LPFM do të fillojnë në ora 15.00. (koha.mk)