Këtë të mërkurë luhet derbi i madh në Manchester, mes United e City, sfidë që ka hyrë në histori ende pa u luajtur, sepse kurrë më parë Red Devils nuk kanë qenë kaq inferiorë në vlerësimin e tregut të basteve.
“Muaji i mjaltit” ka marrë fund për Ole Gunnar Solskjaer, i cili tashmë është në një moment mjaft të vështirë, me 6 humbje në 8 ndeshjet e fundit dhe me një disfatë 4-0 pësuar të dielën në Goodison Park ndaj Evertonit, humbja më e thellë në kampionat prej 2016.
Tani vendi i katërt është kthyer në mision mjaft të vështirë dhe ndeshja kundër kampionëve në fuqi të City-t është vendimtare. Skuadra e Pep Guardiolës ka fituar 10 ndeshjet e fundit në kampionat, duke gabuar vetëm një nga 15 ndeshjet e fundit.
Për pasojë, në tregun e basteve askush nuk pret befasi dhe fitorja e Manchester United kuotohet deri në 7 në Betfair, rekord historik për një derbi në Old Trafford.
Ndërkaq, kuotat për fitoren e Man City nuk shkojnë mbi 1.48 për momentin, sinjal i qartë se në letër është një derbi pa histori, edhe pse Liverpool lutet që United të shtangë të gjithë.