Ka një derbi britanik mes Mançester Junajtedit dhe Arsenalit për Marko Rojs, kontrata e të cilit me Borussian e Dortmundit skadon në vitin 2019. Sipas mediave gjermane, dy klubet e mëdha angleze po e monitorojnë me shumë vëmendje situatën e mesfushorit gjerman, i cili është duke u riaftësuar nga dëmtimi e ligamentit të gjurit, për t’u kthyer në fushën e blertë vetëm në fillimit të vitit të ardhshëm.
Është vetë 28-vjecari i cili e pranon se po e merr në konsideratë largimin nga verdhezinjtë për të ndryshuar ambient, duke e pranuar se janë 4-5 klube të mëdha që interesohen për të. “Jam afër të 30-tave, kështu që do të kem mundësinë e fundit për një kontratë të madhe dhe për të bërë diçka ndryshe”, u shpreh Rojs. Në Gjermani këmbëngulin se “Djajtë e Kuq” dhe “Topçinjtë” kanë marrë një sinjal të qartë nga Rojs dhe po duelojnë mes tyre për të siguruar shërbimet e futbollistit.
Arsenali pritet të humbasë verën e ardhshme Aleksis Sançez me parametër zero, ndaj e konsideron lojtarin e kombëtares gjermane pasuesin ideal të kilianit, por edhe Hose Murinjo po e ndjek me shumë kujdes, për të përpiluar më pas një ofertë zyrtare te Borussia e Dortmundit.