Vjollca SADIKU
Dibër, 5 janar – Të dhënat zyrtare tregojnë se dibranët sot më shumë janë në mërgim se sa në vendlindje. Sistemi i kaluar, por edhe situatat e rëndë ekonomike, ata i ka detyruar të shpërngulen për t’i shpëtuar të keqes, shkruan gazeta KOHA. Ata edhe në mërgim tregojnë karakteristikat e tyre tejet pozitive. Janë punëtor dhe punëdhënës të zellshëm dhe të suksesshëm në shumë shtete të botës. Dibranë ka edhe në Francë. Mes tyre është edhe Musfata Kosovrasti, i cili në Francën e bukur ka migruar para tre dekadave. Sot ai është një familjar dhe biznesmen i suksesshëm në sferën e dekorimit të enterierit, por është edhe humanist i dalluar. Mustafa Kosovrasti me familjen e tij jeton në një lagje periferike të Parisit dhe vite me radhë ka një kompani për realizimin e dekorimeve në objektet të brendshme. Ka kompaninë e tij me 15 punëtorë. Ai dekoron shtëpitë me një mjeshtëri të radhë. Është shumë i kërkuar. Ai së paku dy herë në vit viziton vendlindjen e tij, Dibrën. Mustafain e takojmë edhe gjatë fundvitit, me që ka ardhur që festat t’i kremtojë me të afërmit e tij. Është modest, edhe pse sukseset e tij në sferën e dekorimit tani më janë të njohur në Francë.
“Është një punë kreative dhe plot me art”, na thotë Mustafai. Por, atë e karakterizon edhe humanizmi i madh që tregon për dibranët të cilët kanë pasur probleme shëndetësore dhe shërimin e kanë kërkuar në Francë, shtetin ku medicina është shumë para. Ai gjithmonë u ka dalë në ndihmë familjeve dibrane. “Dera e familjes Kosovrasti në Francë gjithmonë ka qene dhe mbetet e hapur për familjet në nevojë për shërim”, thotë Mustafai dhe shton se humanizmi i dibranëve gjithmonë ka qenë i njohur. ”Bëjmë sa mundemi, me qëllim që të ndihmojmë vëllezërit tani në nevojë”, shton bashkëbiseduesi ynë. Kemi mbajtur me muaj anëtarë të familjeve dhe gjithmonë kemi ndihmuar që ata të ndjehen mirë gjatë shërimit të anëtarëve të sëmurë, që për fat të mirë shërimi ka qenë me sukses. Kanë qenë disa familje të cilët kanë pranuar dorën humane të Mustafa Kosovrastit. Ai po ashtu na tregon edhe për sukseset që kanë mërgimtarët dibranë në Francë. Atje të gjithë dibranët kanë bizneset e tyre. Tani përgatitemi që në Francë të themelojmë Shoqatën “Dibra”. Kemi mundësi dhe mendojmë se duhet të kemi një shoqatë dibrane edhe në Paris, na thotë Mustafai dhe sqaron se mes dibranëve të njohur në Francë, është edhe biznesmeni Munir Maqëllara, i cili po ashtu gjithmonë ndihmon dibranët. Ka edhe dibranë të tjerë të cilët i karakterizon dashuria e madhe për Dibrën dhe kombin e tyre. “Jemi në mërgim, por fëmijët tanë flasin shqip. Nuk ka fëmijë dibran që nuk e flet shqipen”, shton Mustafai. Po ashtu kohëve të fundit shumë dibran të rinj janë me fakultete dhe depërtojnë nëpër institucionet të Francës. “Jemi integruar bukur dhe Franca atë na e mundëson”, thotë Kosovrasti. Por, ai në fund të bisedës na thotë se edhe pse mërgata dibrane në Francë jeton mirë, përsëri gjithmonë mendjen e ka te Dibra e tyre. Mustafai i cili ka 4 fëmijë, 3 vajza dhe një djalë, thotë se edhe fëmijët gjithmonë duan të vijnë në Dibrën e bukur.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.