Bayern Munich do të presë në “Allianz Arena” Borussia Dortmund sot në 18:30 për javën e 28 të kampionatit, një ndeshje që do jetë përcaktuese për fatin e sezonit, duke parë që bavarezët janë 2 pikë larg kreut që mbahet nga Dortmund.
Përveç rëndësisë dhe historisë që sjell kjo ndeshje. Këtë herë do të ketë risi të pafundme në transmetimin deri në detaje të kësaj superndeshje, që dhuron spektakël dhe emocione gjithmonë.
Do të jenë 25 kamera që do të mbulojnë transmetimin për 90 minuta, teksa ndeshja do të shfaqet në 205 vende të ndryshme në botë, nëpërmjet 16 kanaleve ndërkombëtare.
Një dron do të fluturojë përgjatë gjithë ndeshjes mbi stadium dhe do të sigurojë pamje nga ajri nëpërmjet një kamere të integruar. Ndërkohë që prapa porte për herë të parë janë montuar disa kamera të vogla “ultraslowmotion”, që komandohen në distancë. Pamja e tyre kalon përtej rrjetës së portës dhe pritet të shfaqin disa momente të bukura, risi për Bundesligën.
Për këtë sfidë të dy skuadrat janë pak të “cunguara” për shkak dëmtimesh. Tek Bayern mungojnë Alaba, Neuer, Robben, James, Tolisso dhe Davies. Ndërkohë që Dortmund nuk do të ketë në grup titullarë si Hakimi, Alcacer, Diallo, Philipp, Piszczek dhe Pulisic.