Vermont, 5 mars – Deputetja e PDSH-së Meral Ferati, vazhdon takimet e shumta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po qëndron në një vizitë zyrtare 10 ditore. Pas takimeve me më shumë kongresmenë në Kongresin e SHBA-ve dhe në shtetin e Vermontit, ajo ka mbajtur edhe një ligjëratë në Universitetin Norëich, një kolegj ushtarak në Northfield të Vermontit, që është edhe një ndër universitetet më të vjetër ushtarak në Shtetet e Bashkuara, i themeluar që në vitin 1819, raporton gazeta KOHA.
Deputetja Ferati i njohu pjesëmarrësit në ligjëratën e saj, me gjendjen aktuale politike në Maqedoni dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për një kolegj ushtarak me kaq histori, padyshim që një vend i trazuar si Ballkani, ngjall interesim të madh dhe kjo u vërtetua edhe nga pyetjet e shumta që u drejtuan nga pjesëmarrësit.
Deputetja e PDSH-së u sqaroi atyre rrethanat gjeopolitike që padyshim kanë ndikim edhe në situatën në Maqedoninë e Veriut dhe aspiratat e Maqedonisë për anëtarësimin në aleancën më të fuqishme ushtarake të botës, NATO-n dhe në Bashkimin Europian si dhe kontributin që PDSH në vazhdimësi , edhe kur ka qenë zë i fuqishëm i opozitës shqiptare, por edhe tani që është pjesë e qeverisë , jep për këtë përcaktim strategjik të shqiptarëve të Maqedonisë, të vendit dhe rajonit tonë.
Deputetja Ferati ka ripotencuar edhe një herë se PDSH-ja do të vazhdojë me angazhimin maksimal, në mënyrë që këto procese të përfundojnë me sukses.(koha.mk)