Këtë të hënë, deputeti socialist në Kuvendin e Shqipërisë, Armando Prenga, hoqi dorë nga mandati i deputetit. Këtë vendim ai ia bëri të ditur me anë të një letre kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Prenga bën të ditur se motivi i dorëheqjes nuk janë sulmet e opozitës ndaj tij, por familja. “E bëj për qetësinë familjare”, shprehet ai duke theksuar se nuk rrezikohej as nga Ligji i dekriminalizimit. Letra drejtuar Metes mban datën 25 shkurt, por vendimi zyrtar u bë i ditur sot, transmeton Shqiptarja.
Letra e dorëheqjes e Armando Prengës
I nderuar, z Kryetar
Duke ju shprehur konsideratën dhe falënderimet për bashkëpunimin e deritanishëm, më lejoni që nëpërmjet kësa letre të paraqes dorëheqjen time nga mandati i deputetit të partisë “Socialiste”, në Qarkun Lezhë. Kjo kërkesë është mbështetur në përcaktimet e nenit, 71, pika 2, germa ‘b’ e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sipas së cilës mandati i deputetit mbaron, ndër të tjera, dhe kur deputeti heq dorë prej tij.
Bazuar në nenin 164 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton se në rast të ndërprerjes së mandatit të deputetit, Kuvendi njofton KQZ për krijimin e vakancës, lutemi nga ana juaj vënien e procedurave për këtë qëllim. Por, dëshiroj t’ju informoj ju z Kryetar, por edhe opinionin publik se, ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, asnjë dispozitë të tij, nuk parashikon ndërprerje të mandatit të të zgjedhurve, për një dënim me gjobë, siç është dhe rasti im. Por, për qetësinë time dhe të familjes sime, deklaroj si më sipër se, heq dorë, sot dhe gjithmonë, nga mandati që zgjedhësit e mi dhe Kushtetuta më kanë ngarkuar. Së fundmi, i konsideroj të drejta, të padrejta dhe shpifje të ulëta akuzat politike të opozitës dhe personale të autorizuar prej tyre.
Me respekt
Armando Prenga