Shkup, 6 nëntor – Në Kuvend sot është formuar Komisioni për pajtim, me iniciativë të grupit të pavarur të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”.
Iniciativa është shqyrtuar në koordinimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi me koordinatorët e grupit parlamentar dhe nënkryetarët e Shtëpisë ligjvënëse.
Me Komisionin për pajtim do të udhëheq nënkryetarja e Kuvendit Frosina Tashevska- Remenski dhe deputetja Emilija Aleksandrova.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi pas përfundimit të takimit tha se është caktuar formati i Komisionit e cila në takimin e ardhshëm duhet të vërtetojë kompetencat dhe përmbajtjet për çka do të bisedohet. Anëtarë të këtij trupi sipas Xhaferit do të jenë nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare ose zëvendësin e tyre, deputetë të cilët nuk janë të organizuar në grup parlamentar dhe numër i caktuar deputetësh nga grupi më i madh parlamentar LSDM dhe VMRO-DPMNE. Konsideron se është më mirë që ai të mos udhëheq me Komisionin.
“Më mirë është të mos e udhëheq pasi në disa situata mund të ketë përzierje të kompetencave”, ka thënë Xhaferi.
Menjëherë pas fillimit të takimit koordinues, takimin e ka braktisur Surija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët, i cili konsideron se me këtë hapet dera e vogël për amnisti për ngjarjet e Kuvendit më 27 prill vitin e kaluar. Deputeti në deklaratën pas takimit tha se nuk do të merr pjesë në takimet tjera.
Xhaferi ka thënë se braktisja e takimit është e hershme dhe se Rashidi duhej të presë dhe të sheh se si do të jenë përmbajtjet për diskutim.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Xhaferi ka konfirmuar se ish kryeministri Nikolla Gruevski ka kërkuar vërtetim se është anëtar i Komisionit për çështje kushtetuese dhe nuk ka pasur arsye që të mos i jepet. Nesër Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit do të debatojë për marrjen e mandatit të Gruevskit, ndaj të cilit është në fuqi dënimi me burg prej dy vjetësh për rastin “Tanku”.
Në Kuvend, poashtu nesër fillon debati për çështjet kushtetuese, draft- amendamentet e dorëzuara nga ana e Qeverisë. Xhaferi edhe një herë ka qartësuar afatet dhe tha se janë të qarta dhe se nuk ka hapësirë për obstruksione dhe prolongime. Seanca plenare është caktuar për 1 dhjetor.