Deputetët që s’bëjnë zë!

Përveç deputetëve të ri në moshë, hiç më mirë nuk janë edhe deputetët tjerë. Zero fjalime, zero amendamente apo edhe aktivitete tjera në trupat parlamentar për pesë muaj me radhë (gusht-dhjetor 2021) kanë patur edhe deputetët Abdulla Saliu, Arbana Palloshi, Arben Ziberi, Bajram Kadria, Afrim Gashi, Bastri Bajrami, Bejxhan Iljaz, Belkisa Zeqiri, Berat Ajdari, Vjollca Ademi, Ziadin Sela, Izet Mexhiti, Ismail Jahovski, Merita Koxhaxhiku, Safije Sadiku-Shaini, Fadil Zendeli, Hysni Ismaili… Pothuajse që të gjithë këta, nuk kanë parashtruar as edhe pyetje deputetësh

 

Evis HALILI

Shkup, 25 qershor – Pak diskutime dhe akoma më pak ligje të propozuara erdhën nga dhjetë deputetët më të ri në moshë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në periudhën nga muaji gusht deri në dhjetor 2021, tregon edicioni i ri i botimit parlamentar “Deputeti im”. Deputetët Darko Kaevski dhe Bojan Stojanoski kanë qenë më të rregullt në Parlament dhe në gjysmëvjetorin e dytë vitin e kaluar, nuk kanë patur asnjë mungesë. Më së paku në Parlament gjatë kësaj periudhë ka qenë deputeti Darko Kostovski, i cili ka qenë i pranishëm vetëm në pesë seanca plenare, ndërsa shërbimet parlamentare kanë regjistruar 46 mungesa të justifikuara, shkruan gazeta KOHA.

Advertisements

Sa i përket paraqitjes së projektligjeve apo amendamenteve, më aktiv nga deputetët e ri ka qenë Bojan Stojanoski, i cili kishte dorëzuar 63 amendamente, ndërsa Artina Qazimi, Kostadin Kostadinov dhe Muhamed Kadirov nuk kanë paraqitur asnjë projektligj apo amendament. Përveç Kaevskit, i cili ka dorëzuar dy, asnjë nga 10 deputetët e tjerë më të ri në moshë nuk ka dorëzuar projektligj në këtë periudhë. Stojanoski ishte edhe më aktivi nga kolegët e tij më të rinj për sa i përket numrit të fjalimeve në seancat plenare parlamentare. Ai ka diskutuar dhe është përgjigjur gjithsej 27 herë, ndërsa i vetmi deputet tjetër nga dhjetëshin e të rinjve që ka pasur numër dyshifror fjalimesh ka qenë Kaevski me 11. Ndërkaq deputetët Kadirov, Kostovski dhe Monika Zajkova nuk kanë pasur asnjë fjalim në seancë plenare. Duhet theksuar se në këtë periudhë janë mbajtur zgjedhjet lokale 2021, kështu që Parlamenti nuk ka punuar në periudhën parazgjedhore. Në të njëjtën kohë, katër nga këta dhjetë deputetë më të ri ishin në garë zgjedhore dhe u bënë kryetarë bashkie.

Përveç deputetëve të ri në moshë, hiç më mirë nuk janë edhe deputetët tjerë. Zero fjalime, zero amendamente apo edhe aktivitete tjera në trupat parlamentar për pesë muaj me radhë (gusht-dhjetor 2021) kanë patur edhe deputetët Abdulla Saliu, Arbana Palloshi, Arben Ziberi, Bajram Kadria, Afrim Gashi, Bastri Bajrami, Bejxhan Iljaz, Belkisa Zeqiri, Berat Ajdari, Vjollca Ademi, Ziadin Sela, Izet Mexhiti, Ismail Jahovski, Merita Koxhaxhiku, Safije Sadiku-Shaini, Fadil Zendeli, Hysni Ismaili, Dragolub Filiposki, Zoran Kocevski, Llaze Tanevski, Lubica Spasovska, Miroslav Jovanoviq, Sinisha Stojanovski, Sonja Mirakovska… Pothuajse që të gjithë këta, nuk kanë parashtruar as edhe pyetje deputetësh në seancat për pyetje të deputetëve drejtuar ministrave dhe kabinetit qeveritar. Ndryshe, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar (gusht-dhjetor 2021), sipas publikimit, janë miratuar gjithsej 69 ligje dhe janë mbajtur gjithsej 12 seanca punuese dhe 2 seanca për pyetje parlamentare. (koha.mk)