Athinë, 20 mars – Vdekje apo burgim të përjetshëm për ata deputetë të cilët votuan për emër të ndërlikuar, janë kërcënimet të cilat vijnë nga organizatat maqedonase greke të dërguara përmes teksteve deri te anëtarët e Parlamentit grek, thekson kryeparlamentari Nikos Vucis. Vucis zbuloi se deputetët po marrin kërcënime me jetë, duke komentuar se “disa këtu kanë devijuar”, transmeton korrespodenti i MIA-s nga Athina. “Deputetëve grekë iu shpërndanë tekste nga përfaqësuesit e organizatave maqedonase greke nga jashtë vendi diçka që gojarisht e kemi dëgjuar, por nuk i kemi dhënë shumë rëndësi. Tani çdo deputeti i janë shpërndarë, ku as më pak e as më shumë na akuzojnë për tradhti dhe thonë se dënimi është vdekje apo burg i përjetshëm nëse dikush guxon të votojë për propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë greke, nëse vjen dhe kur të vijë në Kuvendin e Greqisë dhe nëse janë pjekur kushtet për emër të ndërlikuar”, theksoi kryetari i Parlamentit të Greqisë. Sipas mediave greke, teksti me kërcënime nga organizatat greke nga diaspora deri te deputetët është përgatitur në 25 faqe, ndërsa aty, ata flasin për “shmangie antikushtetuese dhe jodemokratike të emrit të Maqedonisë” dhe pohojnë se të gjithë deputetët të cilët do të votojnë kundër kërkesave të tyre, do të jenë fajtorë “për tradhti dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë duke rrezikuar integritetin territorial të vendit, diçka që dënohet me burgim të përjetshëm dhe me vdekje”.