Shkup, 23 shtator – Deputetët edhe pasdite në kuadër të seancës së 13-të debatuan për zgjedhjen e zëvendësministrave në Qeveri.
Në ditën e sotme të dytë të debatit, deputetët e LSDM-së thanë se do t’i mbështesin zëvendësministrat e propozuar, pasi i besojnë kryeministrit dhe zgjedhjes së tij të kandidatëve. Ata kanë vlerësime pozitive për punën e deritanishme, ndërsa kandidatët e propozuar, sipas tyre, janë cilësorë dhe i plotësojnë kriteret për detyrat të cilat i presin.
Opozita, nga ana tjetër, ka rezerva për atë sa kjo Qeveri do të mund të punojë në periudhën e ardhshme pasi, siç thanë edhe në “mandatin e kaluar nuk bërë asgjë për të mirën e qytetarëve”. Reaguan për përfaqësimin e grave midis zëvendësministrave të rinj dhe thanë se nuk e dinë se kush janë këta persona dhe i kritikuan biografitë dhe kualifikimet e tyre.
Krahas për zëvendësministrat, sikurse dje, sërish u debatua edhe për problemet në arsim, për bujqësinë, për premtimet dhe projektet e Qeverisë të cilat deri më tani, siç thonë nga opozita, nuk janë realizuar.
Deputetët e bllokut opozitar shqiptar u përqendruan në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut të këtij viti dhe në “jetën e keqe të shqiptarëve në vend kundrejt bashkësive të tjera etnike dhe për arsimimin e tyre”.
Deputeti Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët foli për kompetencat e zëvendësministrave, ndërsa kandidatët e propozuar, siç tha, nuk janë bindës për arsye se pjesa më e madhe e tyre, veçanërisht ata të cilët ishin pjesë e regjimit të kaluar, dalin prej një nomenklature politike të komprometuar e cila nuk jep as shpresë e as besim.
Arbër Ademi i BDI-së, duke i replikuar Azirit, tha se nuk pajtohet me të dhe shtoi se ka shumë freski në kuadrot, ndërsa zëvendësministrat me përgjegjësi do t’i kryejnë funksionet e tyre.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dha pushim prej një ore, ndërsa seanca do të vazhdojë në orën 19:30.