Jerusalem, 2 dhjetor – Deputetët izraelitë e miratuan sot propozimin paraprak për shpërndarjen e parlamentit (Knesetit), i cili mund të çojë në zgjedhje të katërta të Izraelit në më pak se dy vjet.
Për shpërndarjen e Knesetit kanë votuar 61 deputetë, përfshirë anëtarët e partisë në pushtet së qendrës kaltër e bardhë, të liderit dhe Ministrit të Mbrojtjes, Beni Ganc, ndërsa 54 ishin kundër.
Votimi ndodhi vetëm shtatë muaj pas formimit të një qeverie koalicioni të unitetit kombëtar të Kryeministrit, Benjamin Netanjahu dhe Beni Ganc, kundërshtari i tij shumëvjeçar, me detyrë për luftë kundër koronavirusit.
Që nga formimi i qeverisë së koalicionit, partia konservatore e Netanjahut, Likud dhe partia Kaltër dhe bardhë, e Gancit, janë në konflikt të vazhdueshëm.
Ganc dje kumtoi se partia e tij do të votojë për shpërndarjen e parlamentit dhe e akuzoi Netanjahun për mashtrimin e vazhdueshëm të opinionit për interesat e tij politike.
Propozimi për shpërndarjen e Knesetit duhet të miratohet nga komisioni parlamentar, ndërsa deputetët do të votojnë më pas përsëri, ndoshta javën e ardhshme.
Netanjahu dhe Ganc pritet t’i vazhdojnë bisedimet deri në përpjekje për ta ruajtur koalicionin.
Netanjahu po gjykohet për një seri akuzash për korrupsion, ndërsa Ganc e akuzon për pengimin e punës së qeverisë, përfshirë edhe miratimin e buxhetit, me shpresën se në këtë mënyrë do të ndikojë në shtyrjen e proceduarave gjyqtare kundër tij.
Qeveria izraelite nuk e ka miratuar akoma buxhetin për vitin 2020, për shkak të ndarjeve të thella të krijuara nga marrëveshja për ndarjen e qeverisë.
Mosmiratimi i buxhetit ka çuar në probleme të mëdha në një kohë kur, për shkak të pandemisë, vlerësohet se papunësia është më e madhe se 20 për qind.
Nëse buxheti nuk miratohet deri më 23 dhjetor, Kneseti do të shpërndahet automatikisht dhe do të thirren zgjedhje të reja.
Marrëveshja e koalicionit parashikon Netanjahu të jetë kryeministër deri në nëntor 2021, ndërsa Ganc do ta marrë detyrën në 18 muajt e ardhshëm.
Mënyra e vetme që Netanjahu ta shmangë atë marrëveshje është që buxheti të mos miratohet.
Ganc duket se ka arritur në përfundimin se zgjedhjet janë të pashmangshme dhe prandaj mendon se është më mirë të mbahen ato sa më shpejt të jetë e mundur. Ai me shumë gjasa do të presë që votuesit, nëse zgjedhjet janë në fillim të vitit të ardhshëm, ta ndëshkojnë Netanjahun për menaxhimin e keq me pandeminë dhe krizën ekonomike.
Nga ana tjetër, Netanjahu do të përfitojë nga shtyrja e negociatave për buxhetin dhe shtyrja e zgjedhjeve për një periudhë të mëvonshme me shpresën se vaksina do të mbërrijë deri atëherë dhe do të fillojë rimëkëmbja ekonomike.