Deputetët grekë në komision dhanë dritë jeshile për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare drejtë vendit tonë

Komisioni për siguri kombëtare dhe çështje të jashtme në seancën e sotme në Parlamentin grek i pranoi draft ligjet e parashtruara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare afër Majdenit dhe “Markova noga”, si dhe për ngritjen e Zyrës për lidhje në Shkup në nivel të ambasadave dhe të Zyrës për punë konsullore, ekonomike dhe tregtare në Manastir në nivel të Konsullatës së përgjithshme, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në bazë të qëndrimeve të parashtruara të raportuesve për draft ligjet e SIRIZA-s në pushtet dhe Demokracisë së Re në opozitë, por edhe të deputetëve të partive të tjera, propozim ligjet ishin miratuar. SIRIZA dhe Potami janë “për”, Demokracia e Re dhe Agimi i artë kundër, përderisa Aleanca Demokratike në ditën e votimit do ta kumtojë qëndrimin. Partia Komuniste e Greqisë, sipas gjitha gjasave do të jetë e përmbajtur. Deputetët e Lidhjes së Centralisteve, nuk morën pjesë në takimin e Komisionit.

Me miratimin e draft ligjeve të Komisionit, hapet rruga që të shqyrtohen dhe ratifikohen në seancë plenare. Sipas informacioneve jozyrtare të korrespondentes nga Athina, votimi në Parlament do të mund të ishte nesër pasdite.
Debatin e Komisionit për siguri kombëtare dhe çështje të jashtme, me fjalim e përmbylli ministrja alternative e Punëve të Jashtme të Greqisë, Sia Anagnostopullu, e cila tha se të dyja marrëveshjet nuk vijnë para zgjedhjeve në Parlamentin grek, por se janë me kërkesë të popullatës lokale nga vendet ku do të hapen vendkalimet kufitare.

Duke iu përgjigjur Kumucakosit nga Demokracia e Re se para Marrëveshjes së Prespës kanë ekzistuar marrëveshje bilaterale, Anagnostopollu theksoi se para zgjidhjes ndërmjet të dyja vendeve kishte pengesa dhe probleme.

Në debatin dyorësh të Komisionit në Parlamentin grek, fjalë morën rreth 10 deputetë, të cilët i shfaqën pozicionet e tyre në lidhje me dy draft ligjet. Deputetët e SIRIZA-s, Teodora Xakri, Kostas Selcas dhe Janis Sifakis të cilët vijnë nga rajonet në të cilat do të hapen vendkalimet e reja kufitare i sqaruan përfitimet nga dy marrëveshjet e nënshkruara mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Përveç draft ligjeve të cilat ishin temë e takimit, në agjendën e Komisionit u gjetën edhe marrëdhëniet greko-turke.

Dy draft ligjet dalin nga marrëveshjet e nënshkruara në Shkup në mars dhe prill të këtij viti. Njëri propozim ligj është nën titullin “Ratifikimi i Marrëveshjes mes Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me vendosjen e vendkalimit të ri kufitar mes dy vendeve, që do t’i lidhë Promahin në Republikën e Greqisë me Majdenin në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa i dyti nën titullin “Ratifikimi i Marrëveshjes mes Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me vendosjen e vendkalimit të ri kufitar në rajonin e Liqenit të Prespës dhe dispozita të tjera”.

Në pajtim me marrëveshjet e nënshkruara, për ndërtimin dhe hapjen e vendkalimit afër Majdenit do të shfrytëzohen fonde nga Bashkimi Evropian, ndërsa në marrëveshjen për vendkalimin kufitar afër Prespës, janë përfshirë edhe nene për ngritjen e nivelit të Zyres për lidhje në Shkup në ambasadë dhe të Zyres për punës konsullare, ekonomike dhe tregtare në Manastir në nivel të Konsullatës së përgjithshme.

Sipas dy marrëveshjeve të nënshkruara në Shkup, është paraparë të formohet Komision i përbashkët i ekspertëve nga të dy vendet me më së shumti nëntë përfaqësues nga secila palë të cilët do të jenë kompetentë për temat teknike dhe juridike, për funksionimin e vendkalimeve kufitare dhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët lidhur me zbatimin e marrëveshjeve.

Në afat prej 30 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, të dyja palët me anë të rrugës diplomatike do t’i këmbejnë listat me anëtarët e Komisionit, i cili për herë të parë do të takohet në afat prej tre muajve pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, ndërsa do të mbajë takime në çdo dy vite.

Komision i këtillë është paraparë edhe për vendkalimin kufitar afër Majdenit dhe për vendkalimin kufitar afër “Markova Noga”.

Draft ligji “Ratifikimi i Marrëveshjes mes Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me vendosjen e vendkalimit të ri kufitar mes dy vendeve, që do t’i lidhë Promahin në Republikën e Greqisë me Majdenin në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, përmban tre nene, ndërsa projekt ligji “Ratifikimi i Marrëveshjes mes Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me vendosjen e vendkalimit të ri kufitar në rajonin e Liqenit të Prespës dhe dispozita të tjera”, ka shtatë nene. (koha.mk)