Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” që në mëngjes kanë arritur në Kuvend. Ata për momentin gjenden në kabinetin e Trajko Veljanovskit, ndërsa kanë bllokuar hyrjen e kryeparlamentarit të ri, Talat Xhaferi në zyrën e tij. Në një postim në Facebook, deputeti Antonio Milloshoski ka shkruar se deputetët e koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” sot në Kuvend riafirmojnë pozitat në vijim:
– Secili deputet ka mandat dhe obligim që të respektojë dhe mbrojë Rregulloren e Kuvendit, Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.
– Asnjë ambicie politike e ndonjë politikani ose partie politike nuk jep të drejtën për shkelje të procedurës së Rregullores si pjesë e demokracisë në Kuvend.
– Tentimi për zgjedhje të Kryetarit të Kuvendit me shkelje të Rregullores dhe Ligjeve është joligjor dhe asnjë presion politik nuk mund atë ta mbulojë.
– Kundër deputetëve Muhiq dhe Misovski, të cilët kanë marrë veprime kundër rregullores dhe kanë shkaktuar dhunë politike, do të ngrejmë padi penale deri tek institucionet kompetente.
– Maqedonisë në këto momente të vështira dhe shumë të ndjeshme nuk i duhet Kryetar ilegal i Kuvendit, Qeveri jolegale dhe krijim të presedanëve të rënda politike me formimin e institucioneve paralele në kundërshtim me Kushtetutën të cilat mund të shkaktojnë pasoja të dëmshme dhe të pariparueshme.
– Deputetët e Kuvendit kanë mandat nga qytetarët, qytetarët janë bartësit e sovranitetit në Republikën e Maqedonisë dhe qëndrimi i tyre është më i rëndësishmi, pavarësisht nëse është shprehur në zgjedhje ose në protesta demokratike
– As dhuna politike, as dhuna fizike në Kuvend nuk janë për tu arsyetuar, as edhe për shkak të disa dhunuesve individual dikush të ketë të drejtën që tërë popullin paqedashës ta quajë terrorist”, shkruan deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.