Shkup, 15 dhjetor – Dita e fundit e muajit dhjetor është afati i fundit ligjor për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, shkruan gazeta KOHA. Janë gjithsej 20 deputetë që përfaqësojnë bllokun politik shqiptar, nëntë prej të cilëve ulen për të disatën herë në karrigen e deputetit, ndërsa 11 të tjerë në këto zgjedhje kanë fituar mandatin e parë. Pedagogë, ekonomistë, juristë, gjuhëtarë, inxhinierë, ish punonjës në polici e komunë…, këto janë disa prej profileve të deputetëve që vijnë nga sektorë dhe profesione të ndryshme. Karriera politike e një pjese prej tyre është më e shkurtër, ndërsa të tjerë vijnë pas një bekgraundi më të konsoliduar politik dhe përvoje në më shumë subjekte politike. Sipas emrave të deritanishëm të shpallur nga KSHZ dhe ndryshimeve të mundshme, mund të bëjmë një paraqitje të listës së atyre që do të ulen në karriget e deputetëve nga blloku politik shqiptar, por edhe të atyre që largohen përfundimisht nga Parlamenti.
Të rinjtë
Tre prej dhjetë deputetëve të BDI janë emra të rinj që hyjnë për herë të parë në Parlament. Ejup Alimi, i zgjedhur në zonën zgjedhore numër 2, me profesion është jurist, vjen nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe ka qenë në krye të dy komisioneve për dëmshpërblime, për rastin e Kumanovës dhe përmbytjeve në Hasanbeg. Një tjetër emër i ri është ai i Agim Shaqirit që vjen nga Llabunishti, i zgjedhur në njësinë zgjedhore 5 dhe ka punuar në administratën e policisë së Strugës. Surpriza e këtyre zgjedhjeve është Branko Manojllovski, që njëherazi është deputeti më i moshuar i grupit parlamentar. Ai jeton me familjen në SHBA, ndërsa ylli karrierës së tij politike filloi ngjitjen pas deklarimit si shqiptar ortodoks dhe aktivizimit të tij për rizgjimin e vetëdijes kombëtare tek shqiptarët ortodoksë. Ka lindur në një fshat të Rekës së Epërme dhe është zgjedhur nga njësia zgjedhore 6. Nga PDSH, që ka gjithsej dy deputetë, emri i ri është ai i Bardhyl Dautit, nga njësia zgjedhore 6, ekonomist me profesion dhe pedagog në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Ekonomisë. Emra të tjerë të rinj janë deputetët e Besës dhe RDK. Përkatësisht Zeqirija Ibrahimi, që vjen nga njësia zgjedhore numër 1 është me profesion gjuhëtar, aktualisht punonjës në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Nga njësia zgjedhore 2 është Afrim Gashi, me profesion jurist, aktualisht i angazhuar në shtëpinë botuese Logos a. Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, e fitoi mandatin në njësinë zgjedhore numër 6, ekonomist me profesion dhe njihet për angazhimin e tij si pedagog në Universitetin Ballkanik në Shkup. Po nga kjo njësi zgjedhore kanë dalë edhe deputetët e Rilindjes Demokratike Kombëtare, Fadil Zendeli (RDK) dhe Teuta Bilalli (RDK). Të dy emra të rinj. Zendeli nga Gostivari është pedagog në – Fakultetin e Administratës Publike në UEJL. Bilalli, e vetmja deputete femër është nga Tetova dhe me profesion arkitekte. Emrat e rinj nga Aleanca për Shqiptarët janë ato të Vesel Memedit dhe Syrija Rashidit. Memedi është profesor në Universitetin e Tetovës dhe këshilltar në Komunën e Gostivarit.
Të ikurit
Numri i deputetëve shqiptarë që do të largohen nga Parlamenti është 18. Shumë prej tyre kanë gëzuar më shumë mandate, duke pasur një karrierë më të gjatë në Parlament. Të tjerë largohen pas mandatit të fituar në zgjedhjet e kaluara 2014. Dy deputete femra me më shumë mandate, gjithsej 3, Ermira Mehmeti (BDI) dhe Merale Izeiri – Fetahu (PDSH) do të largohen përfundimisht. Ndërsa deputetë të tjerë nga Bashkimi Demokratik për Integrim që nuk do të jenë më deputetë janë Vjollca Mehmeti-Nuredini, Ejup Rustemi, Jamin Sinani, Kaltrina Azizi, Mirvan Xhemaili, Musa Ibraimi, Nora Aliti, Rafiz Aliti, Ramiz Merko, Selvije Saliu (dy mandate), Hazbi Lika. Nga PDSH nuk do të jenë më deputetë Imer Aliu (ish koordinator i Grupit parlamentar), Bekim Fazliu, Orhan Ibrahimi, Gazmend Aliji dhe Ernad Fejzullau.
Të rizgjedhurit
Në Grupin parlamentar të BDI-së si të rizgjedhur për të disatën herë do të jenë deputetët Ali Ahmeti, Talat Xhaferi e Xhevat Ademi. Po ashtu edhe deputetët Artan Grubi e Rexhail Ismaili e Shpresa Hadri, si dhe Mirsade Emini-Asani. Nga PDSH, lideri Menduh Thaçi fiton për të disatën herë me radhë mandatin e deputetit. Zijanin Sela, do të ulet sërish në Parlament. Ky është mandati i tij i dytë si deputet dhe i pari si deputet i Aleancës për Shqiptarët.
Të rinj
Ejup Alimi (BDI)
Agim Shaqiri (BDI)
Branko Manajlovski (BDI)
Zeqirija Ibrahimi (Besa dhe RDK)
Afrim Gashi (Besa dhe RDK)
Bilall Kasami (Besa dhe RDK)
Fadil Zendeli (Besa dhe RDK)
Teuta Bilali (Besa dhe RDK)
Bardhyl Dauti (PDSH)
Vesel Memedi (Aleanca për Shqiptarët)
Syrija Rashidi (Aleanca për Shqiptarët)
Të rizgjedhur
Artan Grubi (BDI)
Rexhail Ismaili (BDI)
Ali Ahmeti (BDI)
Talat Xhaferi (BDI)
Shpresa Hadri (BDI)
Xhevat Ademi (BDI)
Mirsade Emini-Asani (BDI)
Menduh Thaçi (PDSH)
Ziadin Sela (Aleanca për Shqiptarët)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.