Prishtinë, 21 mars – Parlamenti i Kosovës pas pothuajse një debati nëntë orësh, votimin për marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e ka caktuar për sot në orën 11.
Pas mbylljes së debatit parlamentar lidhur me këtë marrëveshje kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbyllur seancën duke caktuar vazhdimin e saj për sot, ku do të votohet për këtë Projektligj, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 69 deputetë, kurse për votimin e këtij dokumenti nevojiten 2/3 e votave të 120 deputetëve të Kuvendit.
Pak para shpalljes së vendimit për përfundim të kësaj seance, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është konsultuar me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, shefin e GP-së të PDK-së, Memli Krasniqin, nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shalën, shefin e GP-së të LDK-së, Avdullah Hotin, dhe dy zv/kryeministrat Enver Hoxhaj dhe Fatmir Limajn, shkruan Telegrafi.
Ndërkohë, Haradinaj ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që ta votojnë këtë marrëveshje.
Duke i kërkuar VV-së dhe Grupit të pavarurve që të votojnë pro demarkacionit, Haradinaj ka thënë se raporti i Komisionit Shtetëror është materie e këtij vendi, që mund të jetë baza për korrigjim, ndërsa i ka lutur që ta ndihmojnë në emër të mundësisë së korrigjimit dhe të banorëve të zonës së Rugovës.
Nga 69 deputetë të pranishëm në sallë, 46 deputetë kanë votuar që seanca të mbahet sot në orën 11:00.
Seancën e djeshme e kanë bojkotuar deputetët e Listës Serbe, ndërkaq ka munguar edhe deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi për shkaqe shëndetësore.
Për ratifikimin e kësaj marrëveshje nevojiten 80 vota nga 120 deputetët e Kuvendit.