Shkup, 13 janar – Deputetët sot pasdite, si pjesë e vazhdimit të seancës së 29-të, debatuan për propozim ligjin për regjistrim të popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me procedurë të shkurtuar. Seanca do të vazhdojë nesër në orën 12.
Deputetët nga VMRO-DPMNE pajtohen se regjistrimi është i nevojshëm dhe janë për zbatimin e regjistrimit, por, siç thonë, sipas rregulloreve evropiane. Sipas tyre, procesi është duke e zhvilluar në mënyrë skandaloze, pa VMRO-DPMNE, dhe nuk do të japë të dhëna të sakta dhe ata kanë dyshime në lidhje me rezultatet nga regjistrimi. Ata pyetën nëse do të numërohen shtetasit e vendit apo rezidentët, çfarë do të ndodhë me shtetasit me dy nënshtetësi, nëse do të merren të dhëna reale dhe nëse ata do të klasifikohen më tej, cili është qëllimi i të dhënave që do të merren. Me ligjin e propozuar, sipas tyre, i jepen kompetenca shumë të mëdha një personi, ky është drejtori i Entit Shtetërorë të Statistikave, i cili e përshkruan metodologjinë e regjistrimit.
Besojnë se për regjistrimin nuk ka konsensus nacional dhe shoqëror dhe se 40 amendamentet e paraqitura nga opozita nuk u pranuan nga shumica qeverisëse. Theksuan se për shkak të KOVID-19 shumë vende më të zhvilluara e shtynë regjistrimin, të tilla si Gjermania, Skocia, Irlanda, Serbia, Kroacia.
Deputeti Dajanço Eftimov nga VMRO-DPMNE tha se regjistrimi është një operacion statistikor nga i cili varet e ardhmja e vendit. “Nga ky operacion statistikor, i cili duhet të jetë statistikor dhe jo politik, varet zhvillimi i ekonomisë, arsimit, bujqësisë”, theksoi Eftimov, duke shtuar se gjithçka është reduktuar në një marrëveshje politike.
Nga ana tjetër, deputetët nga LSDM-ja theksuan se me këtë ligj bëhet regjistrimi, ndërsa nuk realizohen zgjedhje dhe nuk bëhet listë zgjedhore. Ata pyetën pse VMRO-DPMNE në të kaluarën dhe tani ikë nga regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive. Ata theksuan se duhet të kemi regjistrim dhe duhet të dimë se me çfarë disponojmë, me çfarë burime njerëzore dhe të tjera dhe në cilin drejtim të krijohen politikat e ardhshme të shtetit. Sipas tyre, një operacion kompleks statistikor nga opozita në foltore po shndërrohet në, siç thonë, farsë.