Brazilianët e quajnë “suadade”. Është nostalgjia për vendlindjen dhe është një nga problemet më të mëdha që kanë zakonisht lojtarët brazilianë kur luajnë jashtë. Por nuk është thënë që të kalosh kufirin për ta ndier një gjë të tillë. Siguritë dhe lidhjet e afërta mund të mungojnë edhe duke qëndruar në Brazil. Një situatë e tillë mund ta shkatërrojë një karrierë premtuese.
Kështu mund të kishte qenë për Mario Fernandes, mbrojtës krahu i kombëtares ruse dhe CSKA-së së Moskës, i cili është tani një nga më të kërkuarit në merkato, me drejtuesin e Roma-s, Monchi, që ka konfirmuar interesimin e tij për djaloshin. Por, kur ka qenë vetëm 19 vjeç, braziliani është përballur me makthe që do të kishin qenë të vështira për t’u kaluar edhe nga futbollistë më me eksperiencë.
Gjithçka ka filluar pas transferimit te Gremio nga Sao Caetano. Në teori, një gjë e bukur, por jo për Mario Fernandes. Ssiç ka shkruar “The Guardian”, ai nuk ka arritur të përshtatet. Dhe pak pas firmës në kontratë është arratisur. Është zhdukur për një javë dhe më pas e kanë gjeturë 800 km larg Porto Alegres. Arsyeja? Nostalgjia për shtëpinë, që më pas transformohet në depresion. Pavarësisht paraqitjeve të mira në fushën e lojës, situata është dramatike.
Alkool, kequshqyerje dhe një jetë aspak e përshtatshme për një profesionist. “Disa herë shkoja shumë i dehur në stërvitje, isha mbipeshë”, ka thënë Fernandes. Sjellja e çuditshme ka vazhduar. Në moshën 21 vjeç grumbullohet nga Seleçao, por Mario Fernandes… ka humbur avionin. Shkaku, siç thuhet, ka qenë një festë e zhvilluar natën para fluturimit. Mund të ketë qenë edhe një gjendje psikologjike jo e mirë, por kjo ngjarje e ka lënë jashtë kombëtares për tre vite.
Për fatin e tij të mirë, karakteri i veçantë i Mario Fernandes nuk ka frikësuar CSKA-në, që ka parë tek ai një talent. Në 2012-ën rusët kanë shpenzuar më shumë se 10 milionë euro për të, duke mposhtur konkurrencën e Real Madrid. Kështu, falë kësaj kthese të papritur, jeta e dytë e brazilianit filloi në Rusi. Lojtari ka hequr dorë nga alkooli dhe “fast food”-i, dhe ky ndryshim është vënë re në fushën e lojës. Paraqitjet e mira kanë qenë të njëpasnjëshme, deri në atë pikë sa e kanë ndihmuar të rifitojë një vend te kombëtarja e Brazilit.
Dunga ka kërkuar ta ketë në ekipin e tij, por surprizat në jetën e këtij djaloshi nuk mbarojnë këtu. Rusia e shpëtoi dhe ai ia ka kthyer nderin. Ka kërkuar të luajë me fanellën e atdheut të tij të dytë. Në fakt, ai ka marrë nënshtetësinë dhe pasaportën në një kohë shumë të shkurtër, duke shmangur burokracitë. Nga ana tjetër, nuk është e lehtë të gjenden mbrojtës krahu kaq të mirë dhe rusët nuk kanë dashur ta humbin këtë rast.
Dëshira e Mario Fernandes ishte të luante në Botëror dhe Nëna Rusi ia ka plotësuar. Duke parë rritjen e tij, ndoshta në 2018-ën do të ishte grumbulluar edhe nga Brazili, por borxhi që kishte me Rusinë duhej shlyer. “Në Moskë kam gjetur vendin tim në botë, ky vend më ka shpëtuar jetën”. Edhe nëse tani do të largohet për shkak të merkatos, do të ketë gjithsesi me vete pasaportën. Ajo që nuk do të ketë më do të jetë “saudade”. Ndoshta po, por sigurisht jo për… Brazilin.