Përveç deponisë, banorët e Haraçinës thonë se problem mbetet edhe sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimit. “Shumica e punëve të cilët janë premtuar që do të fillojnë pas gjashtë muajve ose që disa prej tyre do të duhej të mbaronin pas gjashtë muajve, as nuk kanë filluar…”, ankohen banorët
Qefsere ABDYLI
Shkup, 9 tetor – Deponitë mes Komunës Likovës dhe asaj të Haraçinës gjithnjë e më shumë po bëhen problem për banorët e fshatrave që jetojnë përreth. Pavarësisht kryetarëve të të dyja komunave, të cilët thonë se i pastrojnë rregullisht deponitë, banorët shprehen të revoltuar pasi, sipas tyre, nuk po bëhet aq sa është premtuar, shkruan gazeta KOHA.
Në këtë rast, kryetarja e Komunës së Haraçinës, Milikije Halimi thotë se pastrimi i këtyre deponive po bëhet në mënyrë të rregullt pa asnjë ndërprerje.
“Pastrimi i këtyre deponive është duke shkuar normal, mbeturinat i mbledhim, i dërgojnë aty ku e kanë vendin, ne e kemi atë deponi vetëm në Komunën e Haraçinës dhe për momentin është duke funksionuar normal pastrimi i saj. Për sa i përket deponisë së Komunës së Likovës, ata i hedhin apo i djegin duke na shkaktuar neve problem, pasi është mu afër komunës tonë. Nga këtu them se duhet të merren masa nga kryetari i Komunës së Likovës”, thotë për KOHA, kryetarja e Haraçinës.
Edhe kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, thotë se deponia mbi fshatin Orllancë pastrohet rregullisht, ndërsa siguron se jo vetëm ajo deponi, por edhe të tjerat të egra do të pastrohen.
“Deponitë në fshatin Nikushtak pastrohen rregullisht, tani kemi një grant apo mjete që janë ndarë nga Ministria e Ambientit Jetësorë, ku të gjitha deponitë e egra në territorin e Komunës Likovës do të pastrohen, dhe të gjitha ato deponi nga Komisioni përkatës tashmë janë evidentuar, do të pastrohen. Njëkohësisht, projektin që e kemi përgatit tani si komunë për rrethojën atje, domethënë të deponive në Nikushtak, që njëherë e përgjithmonë ta zgjidhmi atë problem. Kemi caktuar dhe njerëz adekuat, pasi atje hidhen më shumë banorët se sa ne si ndërmarrje komunale. Besoj që dalëngadalë do ta rregullojmë”, thotë Arifi. Edhe kryetarja e Haraçinës konfirmon se jo vetëm Komuna e Likovës, por edhe banorët veçmas po hedhin mbeturina mbi Orllancë, gjë që po shkakton edhe më shumë probleme.
Përveç deponisë, banorët e Haraçinës thonë se problem mbetet edhe sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimit. “Shumica e punëve të cilët janë premtuar që do të fillojnë pas gjashtë muajve ose që disa prej tyre do të duhej të mbaronin pas gjashtë muajve, as nuk kanë filluar. Disa rrugë janë asfaltuar, ato lokale, kisha është rinovuar, ndërsa sa i përket problemeve elementare si kanalizimi, ujësjellësi e shumë të tjera, nuk janë askund. Ujësjellësi ende është ai i vjetri, me të cilin banorët as nuk mund të furnizohen”, shprehet një banor i Haraçinës. Kryetarja Milikije Halimi pranon se ka ngecje, por siguron se po punohet në zgjidhjen e shpejtë të problemit me ujë të pijshëm.
“Është e vërtetë që pompa është prishur dhe jemi në bisedime për ta sjellë një pompë të re për ujin… këto ditë besojmë dhe shpresojmë, por jemi dhe të sigurt jemi që do të bëhemi me sistem të ri të ujësjellësit. Përveç ujësjellësit, prioritet janë dhe kanalizimet, ku i kemi dhe projekte, mirëpo njëherë të mbarojmë me problemin e kanalizimeve, pastaj në rend vjen dhe asfaltimi i rrugëve, të cilën e kam premtuar që në fillim për banorët tanë”, shtoi Halimi. (koha.mk)