Deponitë mbijnë si kërpudha!

Ekspertët kanë theksuar se Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë qasjen për zgjidhjen e problemit me mbeturinat dhe ndotjen e ambientit. Nevojitet që së pari të ndryshohet qasja e problemeve me deponitë nga niveli lokal në nivel rajonal dhe e dyta , nevojitet që më seriozisht të punohet në klasifikimin e mbeturave sipas llojit dhe përbërjes

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 22 gusht – Vite me radhë në tërë Maqedoninë e Veriut ekzistojnë deponi të ndryshme për të cilat vështirë gjendet zgjidhje e problemit. Bile edhe në Shkup, si kryeqendrën e shtetit, edhe në rrjedhën e lumit Vardar mund të gjenden deponi si tek lokacioni Vardarishte apo ajo mbas sallës sportive Boris Trajkovski, shkruan gazeta KOHA. Shpesh deponitë e egra edhe po pastrohen nga kompetentët, megjithatë qytetarët por shpesh edhe kompanitë ndodh që sërish hedhin mbeturina të ndryshme si materiale ndërtimore, mobilje të vjetra me çka problemi sërish kthehet në pikën zero. Në ndërkohë Avokati i Popullit apeloi para dy javësh ndaj qeverisë dhe Ministrisë së Ekologjisë që të zgjidhë sa më shpejt, problemin me menaxhimin e mbeturinave dhe sidomos ndërtimin e deponive rajonale me çka do të pengohet edhe rreziku nga ndotja e ambientit jetësor.

“Ndodhitë e fundit me zjarr vënien në deponinë rajonale Rusino në Gostivar, dhe atë Bukovo në Ohër udhëzojnë për rëndësinë e madhe që ka zgjidhja e kësaj çështje, si dhe pasojat e saj si ndotja e ajrit, ujit dhe tokës që mund të ketë pasoja afatgjate jo vetëm në këto rajone, por në tërë shtetin”, thonë nga zyra e Avokatit të Popullit.

Nga atje me keqardhje konstatojnë se edhe pas tre viteve të hulumtimit të këtij institucioni për situatën me deponimin e mbeturina në Maqedoni, mbeten konstatimet e njëjta, ndërsa situata në teren nuk ka ndryshuar. Deponitë lokale, prej të cilave pjesa më e madhe nuk plotësojnë asnjë standard ekologjik edhe më tej punojnë, ndërsa mungon edhe modernizimi i dy deponive rajonale si Drislla dhe Rusino, ndërsa akoma nuk ka filluar as ndërtimi i asnjërës prej gjashtë deponive bashkëkohore rajonale.

Nga Ministria e Ambientit thonë se zgjidhja e problemit me deponitë është një çështje e ndërlikuar që kërkon një angazhim nga ë më shumë faktorë.

“Një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut , në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale është vendosja e sistemit të integruar rajonal të vetë qëndrueshëm për menaxhimin me mbeturinat në çdo rajon në shtet. Mirëpo realizimi i një procesi të tillë merr shumë kohë për shkak se ai është shumë kompleks dhe kërkon një nga angazhim nga të gjitha faktorët”, thonë nga Ministria e Ambientit.

Nga atje shtojnë se duke marrë parasysh kapacitet et e vogla financiare dhe teknike të komunave, si dhe vonesat që ato vetë të plotësojnë obligimet që dalin nga Ligji për menaxhimin me mbeturinat si dhe të themelojnë deponi për mbeturina komunale, Qeveria vendosi që të merr kompetencat nga komunat dhe filloi të realizoi procesin e themelimit të deponive rajonale në përputhje me Planin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për menaxhimin me mbeturinat. Në këtë drejtim me mjete të BE-së në periudhën e kaluar është përgatitur dokumentacioni projektues dhe i tenderit për vendosjen e sistemit rajonal për menaxhimin me mbeturinat në gjashtë rajone dhe atë në rajonin Jugperëndimor, të Shkupit, Pellagonisë, Lindor, Verilindor dhe të Vardarit.

“Për rajonin Lindor, Verilindor janë siguruar mjete në vlerë prej 43 milion euro dhe intensivisht punohej në 18 komuna që duhet bashkërisht të formojnë ndërmarrje ndër rajonale për menaxhimin me mbeturinat që do të ekonomizojë me deponinë e ardhshme rajonale. Parashikohet që të mbyllen edhe deponitë e egra dhe të blihet pajisje dhe mjete për transportin e mbeturinave në këto dy rajone”, thonë nga Ministria e Ekologjisë.

Sa i përket rajonin të Pollogut është nënshkruar marrëveshje bilaterale ndërmjet qeverive të Zvicrës dhe Maqedonisë e vlefshme 9 milionë franga zvicerane, me çka duhet të fillojë realizimi i projektit gjashtëvjeçar që ka për qëllim përpunimin e dokumentacionit planifikues për vendosjen e sistemit rajonal për menaxhimin me mbeturinat, rehabilitimin e deponisë jostandarde Rusino dhe përforcimin e kapaciteteve teknike të komunave në këtë rajon.

Në vitet e kaluara, ekspertët kanë theksuar se Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë qasjen për zgjidhjen e problemit me mbeturinat dhe ndotjen e ambientit. Nevojitet që së pari të ndryshohet qasja e problemeve me deponitë nga niveli lokal në nivel rajonal dhe e dyta , nevojitet që më seriozisht të punohet në klasifikimin e mbeturave sipas llojit dhe përbërjes.

Ndryshe, analizat e ambientalistëve tregojnë se ajri dhe toka bujqësore e ndotur së bashku me mungesën e informacioneve të sakta të burimeve të ndryshme të ndotjes dhe zgjidhja e problemit të ndotjes jo në mënyrë parciale, por të përgjithshme janë problemet kryesore të mbrojtjes së ambientit që brengosin qytetarët në vend. Gjithashtu edhe mungesa e mbikëqyrjes së ndryshimeve në ambient dhe statistikës së saktë pamundësojnë në mos zgjidhjen atëherë së paku zbutjen e këtij problemi. Problem tjetër është edhe mungesa e të hollave për investime më të mëdha në sektorin e ambientit jetësor që është dhe mbetet ndër fushat më komplekse që kërkojnë angazhime të mëdha lidhur me koordinimin, investimet dhe përgjegjësinë e madhe të administratës në nivel lokal dhe qendror. Nëse vazhdon kjo gjendje, deponitë do të mbijnë si kërpudhat dhe menaxhimi i tyre do të bëhet edhe më i vështirë. (koha.mk)