Në Lagjen “Dardania” të Kumanovës, banorët me vetiniciativë dhe me ndihmën financiare të mërgimtarëve, e kanë shndërruar një deponi të egër në park rekreimi dhe kjo është bërë pas një heshtje të gjatë të institucioneve dhe të këshilltarëve shqiptarë. Këta të fundit janë aktivë, vetëm kur duhet të vrapojnë për të mbledhë vota. Pastaj humbin dhe nuk i sheh askush
Hekuran Jashari
Kumanovë, 28 maj – Banorët e rrugës “Nikolla Vapcarov”, apo ndryshe siç quhet nga banorët e kësaj lagje Lagjja “Dardania”, ka kohë që janë ankuar nga hedhja e mbeturinave buzë lumit, të cilat përhapnin erë të padurueshme. Këta banorë disa herë kanë kërkuar nga institucionet që të zgjidhet çështja e kësaj deponie të egër, por kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër. Kjo ka qenë edhe arsyeja që ata me vetë iniciativë ndërmorën disa aktivitete dhe organizime për ta shndërruar këtë deponi në park.
Vasuf Jusufi banor i kësaj lagjeje dhe njëri prej iniciatorëve kryesore për idenë e parkut, thotë se fillimisht u mendua të mënjanohet vetëm deponia, por ndërkohë lindi ideja që në vend të deponisë të bëjmë një park që do t’ia ndryshonte pamjen lagjes. Ai shpjegon se kësaj ideje i janë bashkangjitur të gjithë banorët e lagjes, por ka qenë kontributi i mërgimtarëve që ka ndikuar në jetësimin e këtij projekti, për arsye se kjo punë nuk ka mund të bëhet pa mbështetje financiare nga diaspora.
Rregullimi i parkut në lagjen “Dardania” është mirëpritur sidomos nga fëmijët, të cilët po e shijojnë kohën e lirë në rekreacion dhe ajër të pastër. Ky është një lehtësim edhe për prindërit, sepse tash e tutje përpos që po i shoqërojnë fëmijët e tyre, ata po kanë mundësi të menaxhojnë më mirë kohën e tyre.
Lagja “Dardania” numëron afro 1500 banorë, por interesimi nga ana e këshilltarëve shqiptarë për këtë lagje është zero. Banorët shprehen të indinjuar, duke akuzuar këshilltarët dhe partitë politike të cilat zbresin aty vetëm në prag të zgjedhjeve për të marrë vota. Pastaj kjo lagje, siç ndodhë edhe me lagjet tjera shqiptare, lihet në harresë të plotë institucionale. (koha.mk)