Ndërmarrja që do të krijohet në Pollog do të jetë përgjegjëse për të menaxhuar edhe deponinë Rusino. Po ashtu është paraparë që të ndërtohet edhe një transfer stacion në Tetovë që do të jetë në shërbim edhe për komunat tjera. Megjithatë, punimet janë në fazë fillestare, edhe pse vite premtimet përsëriten
Urim HASIPI
Tetovë, 12 shkurt – Deponia rajonale vazhdon të jetë problem në rajonin e Pollogut. Edhe pse ende pa u rregulluar, Komunat e Pollogut vazhdojnë të hedhin mbeturina në deponinë Rusino, ndërsa kjo ndikon edhe në ndotjen e ambientit. Zgjidhja me problemin e deponisë Rusino vazhdon të mbetet kancer i Gostivarit edhe pse disa herë u premtua se ky problem do të zgjidhet shumë shpejtë.
Ndërkaq, në shumë komuna të Pollogut tashmë këshillat kanë miratuar vendimet për themelimin e një ndërmarrje rajonale, ndërsa paralelisht duhet që edhe deponia të rregullohet. Ndërmarrja që do të krijohet në Pollog, do të jetë përgjegjëse për të menaxhuar edhe deponinë Rusino, po ashtu është paraparë që të ndërtohet edhe një transfer stacion në Tetovë që do të jetë në shërbim edhe për komunat tjera. Arsyeja e krijimit të një ndërmarrje publike për menaxhim me mbeturinat në rajonin e Pollogut është që njëkohësisht të zgjidhet edhe problemi i deponisë rajonale. Në Këshillin e Komunës së Gostivar kaloi themelimi i një ndërmarrje publike regjionale për komunat e Pollogut. Nga ana tjetër, kryetarja e Komunës së Tetovës, duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, thotë se Këshilli ka sjellur vendim dhe e njëjta gjë do të ndodh në afat sa më të shkurtër kohor. Ajo potencon se edhe dy stacione tjera do të ndërtohen në Tetovë.
“Siç e dini, kohë më parë Këshilli i Komunës së Tetovës vendosi dhe ka dhënë leje për formimin e Qendrës rajonale apo ndërmarrjes rajonale. E njëjta do të ketë për qëllim këtë aspekt të mirëmbajtjes dhe standardizimit të deponisë Rusino që është një nevojë e madhe e të gjithë rajonit dhe në kuadër të këtij koncepti, parashihen edhe dy stacione akoma më modern të këtij transferi. Njëri do të jetë në Falishtë dhe tjetri në një lokacion tjetër. Besoj se jemi në rrugë të mirë me partnerët zviceran që në këtë drejtim të vazhdojmë të punojmë mirë, edhe pse kemi avancime mjaft të mira nga fillimet kur i kemi nisur këto procedura“, tha Arifi. Në ndërkohë, nga Qendra e Pollogut janë shprehur se një nga kushtet për realizimin e idesë së një ndërmarrje ka qenë që të rregullohet rruga për në Rusino.
“Njëra fazë e asfaltimit është kryer, pra është asfaltuar rruga në gjatësi prej 2 kilometra e gjysmë, po aq kanë ngelur deri tek deponia. Këtë vit shpresojmë ta përfundojmë tërësisht dhe paralelisht është në tenderim e sipër që të kemi një qasje alternative deri tek kjo deponi. Dokumentacioni teknik është përgatitur, pra që të kemi një rrugë për në Rusino nga magjistralja Gostivar-Kërçovë. Me këtë dëshirojmë të krijojmë kushte që edhe komunat e rajonit jug-perëndimor të hedhin mbeturina, por kjo ngel për një fazë të mëvonshme”, thonë nga kjo qendër. Ndryshe, iniciativa që Komunat e Pollogut të kenë një ndërmarrje publike për menaxhim me mbeturinat ka qenë rekomandim i ekspertëve dhe Ambasadës së Zvicrës, të cilët financojnë adoptimin e deponisë rajonale në Rusino. (koha.mk)