Vjollca SADIKU
Dibër, 15 mars – Dibra është njohur si qytet ku pastërtia ka mbizotëruar si nëpër shtëpi ashtu edhe në qytet. Mirëpo, si duket tani nuk vlen ky vlerësim më, ngaqë deponitë në qytet e prishin imazhin dhe ta vrasin syrin, duke kaluar në disa pjesë të qytetit, shkruan gazeta KOHA. Ndërmarrja publike “Standardi” në Dibër realizon rregullisht aktivitete për pastrimin e mbeturinave, por ka persona të papërgjegjshëm që hedhin mbeturina në çdo cep dhe kështu formohen edhe deponi të egra. Banorët e shumë lagjeve të Dibrës kohën e fundit janë duke “bashkëjetuar” me disa deponi të egër të mbeturinave me materiale ndërtimore dhe mbeturina të tjera të llojllojshme, të cilat lirojnë erë të pakëndshme dhe për më shumë, rrezikojnë edhe shëndetin e banorëve. Banorët thonë se këto deponi po ua rrezikojnë shëndetin dhe po ua vështirëson jetën, për shkak të erës së pakëndshme, sasisë së madhe të mbeturinave dhe numrit të madh të qenve endacakë që enden nëpër këto zona të vërshuara nga mbeturinat. Udhëheqësi i higjienës publike pranë Ndërmarrjes publike “Standardi”, Omer Cami, thotë për KOHA se kjo ndërmarrje ka zhvilluar aktivitete plotësuese për pastrimin e të gjitha deponive në qytet. Sipas Camit, çdo të mërkurë ekipet e “Standardit” me mekanizmin e veta janë në teren dhe pastrojnë deponitë të shkaktuara nga qytetarët vend e pa vend. Sipas tij, ky është një aktivitet plotësues pos asaj që e realizojnë çdo ditë me pastrimin e mbeturinave nëpër lagjet e qytetit. Andaj Cami apelon te banorët dibran që të mos hedhin mbeturina inerte në kontejnerë dhe të mos krijojnë deponi të egra, sepse prishin imazhin e Dibrës, i cili njihet si qytet i pastërtisë.
Suhet theksuar se edhe deponia e qytetit është në gjendje kaotike. Drejtori i Ndërmarrjes publike “Standar”, Mazllum Lleshi, thotë se deponia e Dibrës është si gjithë deponitë në vend, me probleme identike që u duhet zgjidhje. Ai shton se janë paraparë të ndërtohen gjashtë deponi rajonale ku edhe Dibra përfshihet në atë projekte. Lleshi thotë se të gjithë ata që ndotin pronat publike apo hedhin mbeturina të vendet jo të duhura, do të ndëshkohen me gjoba dhe pret nga qytetarët vetëdijesim. Në lidhje me ndëshkimet, inspektori komunal ka ndëshkuar disa persona për hedhjen e mbeturinave në vende të ndaluara dhe vazhdojnë që të ndjekin në vazhdimësi situatën e prishjes së ambientit jetësor, duke formuar deponi të egra në shumë vende të qytetit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.