Shkup, 22 shkurt – Jemi të vetëdijshëm për këto raporte, dhe e ndjekim situatën nga afër, deklaroi shkurt zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës, me rastin e arratisjes së Sasho Mijallkovit.
Ministria e Punëve të Brendshme sot shpalli urdhërarrest ndërkombëtar për Sasho Mijallkovin, ish-shefin e DSK-së, i cili prej dje është i pakapshëm, dhe policia nuk arriti t’ia dorëzojë vendimin për arrest shtëpiak, që si masë e kujdesit, në kërkesë të prokurorisë gjatë fundjavës e solli Gjykata Penale.
Ai është një nga të akuzuarit për përgjimet e paligjshme të mbi 20 mijë qytetarëve në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015. Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, jashtëligjshëm ishin ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët aspak nuk ishin dhënë urdhra gjyqësorë.
Prokuroria në fjalët përfundimtare për rastin Target-Fortesa kërkoi dënim maksimal për Sasho Mijallkovin, ndërsa aktvendimi pritet të publikohet të premten, më 26 shkurt.