Shkup, 5 shtator – Në hapësirat e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup sot zëvendëskryeministri Bujar Osmani, mori pjesë në institucionalizimin e themelimit të Departamentit të trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, i cili do të funksionojë në kuadër të Sektorit të veprimtarisë hulumtuese shkencore të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Me këtë rast, zëvendëskryeministri Osmani u shpreh i entuziazmuar për faktin që për herë të parë në botë themelohet një departament i këtij lloji, pikërisht në vendlindjen e humanistes së madhe botërore, pas një mori emërtimesh të institucioneve të ndryshme që janë bërë në të kaluarën.
“Solidariteti është një nga vlerat fundamentale evropiane, të cilat përmes Sekretariatit për Çështje Evropiane, mundohemi t’i përçojmë dhe kultivojmë edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Osmani.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani, falënderoi Osmanin për mbështetjen e Qeverisë në progresin e Institutit. Ai njoftoi se Departamenti i trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, është departamenti i dhjetë i Institutit, i cili në mënyrë shkencore do të merret me hulumtimin dhe studimin e jetës dhe veprës së kësaj figure të madhe të njerëzimit. (koha.mk)