Pronari i një biznesi, që merret me fotografime nga ajri, u dënua me 30 ditë burg, pasi një prej dronëve që ai drejtonte goditi dhe lëndoi një femër. Paul Skinner u shpall fajtor për pakujdesi nga një gjykatës në qytetin amerikan Seattle. Sipas statistikave, besohet se kjo është hera e parë në planet, që një drejtues i dronit dënohet nga gjykata. Incidenti për të cilin u dënua Skinner ndodhi gjatë një parade në Seattle në vitin 2015. Sipas policisë, mjeti i telekomanduar që drejtonte Skinner u përplas me një ndërtesë dhe ra mbi turmë, duke plagosur dy persona. Gjykatësi tha se e kupton që bëhet fjalë për një aksident, por shtoi se piloti i pajisjes së telekomanduar kreu veprime që rrezikuan të tjerët. Sipas prokurorit, drejtimi i gabuar i dronëve është një çështje sigurie që sa vjen e përkeqësohet. Ekspertët, duke shfrytëzuar dënimin e Skinner, kanë kërkuar regullore për përdorimin e dronëve, qoftë për qëllime tregtare, ashtu dhe personale. Në fakt, autoritetet e shumë vendeve kanë ngritur problemin e pranisë së dronëve pranë aeroporteve, shpesh herë duke rrezikuar avionët që ulen apo ngrihen. Për këtë arsye, forcat policore të shumë shteteve kanë nisur të stërvisin shqiponjat, për të ndalur dronët në zonat që konsiderohen të rrezikshme.