Një tifoz i Romës që ka sulmuar një të Liverpoolit jashtë stadiumit “Anfield” në prill të vitit të kaluar, duke e lënë me lëndime serioze të trurit, është dënuar me tre vjet e gjysmë burgim nga një gjykatë në Preston, të enjten.
Simone Mastrelli, 30-vjeçar, është deklaruar fajtor për sulmin ndaj irlandezit 53-vjeçar Sean Cox, para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes dy skuadrave stinorin e kaluar, transmeton Koha Ditore.
Gjykatësi Mark Brown duke i dhënë dënimin italianit, që është ekstraduar muajin e kaluar me urdhërarrest evropian, ka thënë se Mastrelli ka shkatërruar jetën e një njeriu të pafajshëm dhe të familjes së tij.
Presidenti i Romës, James Pallotta, që ka bërë një donacion personal prej 50 mijë eurosh për kostot mjekësore dhe të rehabilitimit të tifozit Cox, kishte deklaruar se sulmi ndaj irlandezit ka qenë budallallëku më i shëmtuar dhe më i neveritshëm që ka mundur të ndodhë.
Vajza e Coxit, Shauna, në një deklaratë në gjykatë ka thënë se babai i saj kishte shkuar të shihte ndeshjen me vëllanë e saj, por “kurrë nuk u kthye në shtëpi”.
“Ky sulm i dhunshëm dhe i paprovokuar ndaj babait e ka lënë atë në një situatë të tmerrshme. E ardhmja e tij është e paqartë dhe ne nuk e dimë se si do të përparojë ai dhe kjo është ajo që na frikëson. Përqendrimi tash është që t’i ofrojmë atij kujdesin e nevojshëm që i duhet”, ka thënë Shauna.