Një gjykatë në Kazakistan e ka dënuar një person me tre vjet burg pasi kishte kritikuar presidentin rus Vladimir Putin përmes një publikimi në rrjetin social Facebook. Prokurorët në qytetin Aktobe e kanë shpallur biznesmenin, Sanat Dosov, fajtor në akuzën “nxitje e mospajtimeve sociale” dhe e kanë dënuar atë bazuar në publikimet në faqen e tij në Facebook, të gjetura prej muajit korrik të vitit 2014 e deri në mars të vitit 2016. Avokati i Dosovit tha se do të ankohet kundër këtij vendimi. Prokurorët thanë se Dosov, 46 vjeçar, e ka shkelur ligjin duke postuar deklarata në internet, në të cilat thuhej se Putini po “e shkatërron” Rusinë, se ishte kritik ndaj politikave të tij sociale dhe për dënimin e përfshirjes së Moskës në luftimet në pjesën lindore të Ukrainës. Sanat Dosov, që është kryesues i grupit civil, Ihtiyar, raportohet se ka pranuar se ka postuar komente në mediat sociale dhe kërkoi që të mos dërgohet në burg, pasi i ka gjashtë fëmijë edhe ata varen nga ai.