Pas vuajtjes së dënimit, autoritetet e atëhershme të Shkupit, Jonuz Ballën e dëbuan në Shqipëri, si i papërshtatshëm për regjimin e tyre, apo siç thuhej: “për shkak veprimtarisë së tij armiqësore kundër shtetit dhe popullit”. Se si u prit nga autoritetet e atëhershme komuniste shqiptare, atë më së miri e shohim në intervistën e fundit të Jonuz Ballës, dhënë më 25 dhjetor 2006, gazetës “Panorama”, ku ndër të tjerave ai shprehet: “…Direkt nga burgu në Maqedoni, më futën në burg në Shqipëri. Madje pas përfundimit të dënimit 8-vjeçar nuk kam vajtur as në shtëpi. Këtu më akuzuan si bashkëpunëtor i UDB-së dhe se kisha shkelur kufijtë e Republikës Popullore….
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Në pranverë të vitit 1946, Azem Marana dhe Hasan Bilalli e angazhuan Mehmet Bushin në formimin e Komitetit të NDSH-së për qytetin e Tetovës, i cili do të veprojë sipas direktivave të Komitetit të rajonit. Themelimi i këtij komiteti ndodhi kah mesi i muajit prill. Për drejtues të komiteit u zgjodhën: Jonuz Balla-kryetar, sekretar Nexhmedin Besimi, anëtarë Ismail Sadiku dhe Xhevair Vejseli. Në kuadër të këtij komiteti u formua agjencia informative si dhe radiostacioni – që e shfrytëzonte KQ i NDSH-së për lidhjet me komitetin e Barit dhe Zonën Operative-I në Greqi. Lidhjet mes komitetit të Tetovës dhe K.Q. të NDSH-së i mbante mësuesi Jetish Vishi, i cili ishte njeriu më i besueshëm i Azem Maranës.
Burimet arkivore bëjnë të ditur se komiteti i NDSH-së në Tetovë, krijoi një rrjet të gjerë të vetin me shumë nënkomitete të cilat në radhët e veta përfshinë mbi 170 anëtarë, shumica e të cilëve ishin intelektual të profileve të ndryshme si mësues, ushtarak, jurista, hoxhallarë etj, ku për nga aktiviteti shquheshin Jonuz Balla, Mehmet Bushi dhe Nexhmedin Besimi.
Ndërkohë, aktiviteti politik i Jonuz Ballës do të zgjerohet edhe në nivelin qendror të NDSH-së. Ai, si njëri ndër anëtarët më besnik të organizatës, u ftua nga Azem Marana, që të merr pjesë në kongresin e II (IV) të NDSH-së, i cili u mbajt më 1 qershor 1946 në Shkup. Në atë kongres u miratuan dy dokumente të rëndësishme për organizatën: “Skema e organizatës” dhe “Programi i Lëvizjes për lirimin e tokave shqiptare”. Kongresi, gjithashtu zgjodhi Sekretariatin e Komitetit Qendror të NDSH-së: Halim Orana – kryetar, Qemal Skënderi – zëvendëskryetar, dhe Azem Marana – sekretar kurse për anëtarë të K.Q. u zgjodhën: Jonuz Balla, Mehmet Bushi, Hamdi Berisha, Hysni Rudi, Mahmut Dumani, Osman Cami, Medat Tërshana, Hasan Bilalli, Haki Efendi Hogoshi.
Në fillim të muajit korrik 1946, KQ i NDSH-së i erdhi një letër prej Gjon Sereçit, i cili kërkonte nga udhëheqja e lartë e organizatës, se si të veprohet me ushtrinë guerile shqiptare, a të qëndronte në Kosovë, apo të kalonte në Greqi. Për rrjedhojë, KQ i NDSH-së vendosi t’i shkruajë një letër konsullit anglezë. Letra e shkrua nga Azem Marana dhe Jonuz Balla në prani të Xhevair Vejselit (Shaqiri), kurse përkthimin nga shqipja në frëngjisht e bëri Jonuz Balla. Teksti pati këtë përmbajtje: “Ekselenca e juaj – konsulli anglez – Shkup, Meqenëse jemi në një situatë të rëndë në mal, pa ushqim, e që paraqet një vështirësi të madhe për ekzistencën e mëtejshme këtu, ju drejtohemi juve për këshilla, se a të qëndrojmë këtu, apo të kalojmë në Greqi. Nëse mendoni që të qëndrojmë, atëherë ju lutemi të na jepni shifrën për punë me radiostacion, që të kemi lidhje me ju”.
Po në këtë periudhë kohore, shërbimi sekret jugosllav OZN-a, arrestoi në Kaçanik, anëtarin e NDSH-së, Hamdi Berishën, i cili siç duket, kishte dhënë informata të shumta për punën e organizatës. Arrestimi i Berishës erdhi falë një agjenti, i cili në fillim të korrikut, me sugjerimin e Shërbimit sekret jugosllav, UDB-së, u bë anëtar i organizatës. Në fakt, e tërë kjo ngjarje ndodhi krejt rastësisht apo thënë ndryshe, falë naivitetit apo papjekurisë së Hamdi Berishës, i cili duke dashur që në organizatë të përfshijë sa më shumë intelektualë shqiptarë, në fillim të muajt korrik e ftoi atë që të përfshihet në organizatë. Në këto rrethana u bë e mundshme zbulimi i tërë rrjetit të NDSH-së dhe si rezultat i kësaj, më 22 korrik, në orët e mbrëmjes, policia maqedonase në Shkup arrestoi Azem Maranën, Hysni Rudin, Mahmut Dumanin, Spiro Theodosin dhe Xhavit Selimin Në të njëjtën kohë në Tetovë u arrestuan: Mehmet Bushi, Nexhmedin Besimi, Jonuz Balla dhe Xhevair Vejseli, ndërsa në Dibër: Qeram Zllatku, Osman Cami dhe Gani bej Abdullau. Bastisjet dhe arrestimet nuk do të përfundojnë me këtë, përkundrazi, ata vazhdojnë edhe më tej. Kështu, me 31 korrik në Shkup u arrestuan Galip Raufi dhe Sherif Aliti, një ditë më vonë në Bllacë të Shkupit arrestohet Xhemal Ferra, me 7 gusht Mexhit Zyberi, ndërsa me 12 gusht në Dibër arrestohet edhe Medat Tërshana. Pas arrestimeve që UDB-ja bëri ndaj kreut të KQ të NDSH-së, më 31 korrik 1946, Prokurori Publik i RP të Maqedonisë, Nikolla Vrazhallski, solli vendim, përmbajtja e së cilës ishte me sa më poshtë vijon: “Në pajtim me letrën e UDB-së të RP të Maqedonisë, Procedimi nr. 3991/46 nga data 30. VII. 46, ndërsa mbi bazën e nenit 28 e në lidhje me nenin 127 nga Kushtetuta e RFPJ-së, Prokurori Publik i RP të Maqedonisë, sot më datë 31. VII. 46 solli këtë:
VENDIM
Që kundër personave: Azem Idriz Marana, i lindur në fshatin Maranë, Qemal Alim Skenderi nga qyteti i Shkupit, Jonuz Imer Balla, i lindur në fshatin Palis – Shqipëri, Xhevair Vesel Hoxha (Shaqiri -Q.L.), i lindur në fshatin Nerashtë, Mahmut Hysen Dumani, i lindur në fshatin Bellovë – Shqipëri, Bajram Xheladin Bajrami, i lindur në qytetin e Shkupit, Suat Sulejman Memedi, i lindur në qytetin e Shkupit, Nexhmedin Besim Sezairi, i lindur në fshatin Pirrok, Dalip Arsllan Sadiku, i lindur në qytetin e Shkupit, Haki Rexhep Abdullau, i lindur në qytetin e Shkupit, Ismail Bektesh Veliu, i lindur në fshatin Kërbliç, rrethi i Kaçanikut, Ismail Hamdi Bilalli, i lindur në qytetin e Prishtinës, Seit Abdulla Musai, i lindur në qytetin e Tetovës, Hamdi Abaz Sulejmani, i lindur në qytetin e Shkupit, Isa Jahja Hyseni, i lindur në qytetin e Shkupit, Memed Ali Saliu, i lindur në fshatin Sadovinë, rrethi i Vitisë, Xhavid Abdulla Selimi, i lindur në qytetin e Shkupit, Haki Jahja Zyberi nga fshatin Tanishec, Mehmed Nezir Bushi nga Tetova, Rasim Daut Aliu nga fshatin Raçe, Osman Hamit Cami nga Dibra, Qenan Imer Rusi nga Dibra, Qeram Muhamet Zllatku nga Dibra, Spiro Harilla Theodosi, nga Gjorçe Petrovi, Hysni Muharrem Rudi nga Mitrovica, Jozef Nikoll Bërkiqi nga Janjeva dhe Ismail Shaban Saiti, i lindur në Tetovë, të udhëhiqet procedurë penale dhe në paraburgim të mbahen deri në përfundim të hetimeve, për arsye se të njëjtit kanë zhvilluar veprimtari ilegale antipopullore, me të cilën kanë përgatitur edhe luftë të armatosur kundër pushtetit popullor të tanishëm.
Me vendimin e mësipërm për personat e ndaluar të njoftohet përmes një ekzemplari edhe UDB-j e RP të Maqedonisë.
Prokurori Publik i RP të Maqedonisë /N. Vrazhallski/
* * *
Numri i të arrestuarve deri më datë 31 korrik 1946 ishte gjithsej 26, ndërsa ky numër u trefishua gjatë muajve gusht dhe shtator të atij viti. Të gjithë ata u seleksionuan në disa grupe të veçanta. Në grupin e parë u përfshinë 19 të akuzuar, në mesin e tyre edhe Jonuz Balla, për të cilët Vrazhallski vlerësonte se, ishin udhëheqësit kryesor të organizatës. Pas përfundimit të procesi hetimor, më 26 janar 1947, në sallën e madhe të Gjyqit të Qarkut të Shkupit, filloi procesi gjyqësor kundër 19 anëtarëve të Komitetit Qendror të NDSH-së. Kryetar i Gjyqit ishte Panta Marina, ndërsa anëtarë të porotës Tekia Haliti dhe Vejsel Limani. Formalisht të pandehurit u jepej e drejta të kishin palën e tyre mbrojtëse. Kështu Shukri Rama ishte caktuar prej gjyqit avokat mbrojtës i Azem Maranës dhe Qemal Skënderit, ndërsa avokati Anton Pop-Todorov, mbrojtës i Jonuz Ballës, Hasan Bilallit dhe Xhavit Abdullaut, etj.. Rëndësi të madhe këtij procesi i dha Britania e Madhe, e cila e kishte autorizuar konsullin e vet në Shkup, Xhorxh Bruton, të merr pjesë në seancat gjyqësore. Seancat gjyqësore u përcollën edhe nga konsulli i Republikës së Turqisë, Emin Vefa Geçek, si dhe nga agjencitë telegrafike: “Tanjug”, “ATSH”, “Frans Pres”, “Rojters” etj., por edhe nga shtypi jugosllavë e ai shqiptar si: “Borba”, “Nova Makedonija”, “Flaka e Vëllazërimit”, “Rilindja”, “Bashkimi” etj.
Meqenëse Jonuz Balla, figuronte si i akuzuari i shtatë, në pyetje ai do të merret më 30 janar, së bashku me Mehmet Bushin dhe Osman Camin. Përkundër dhunës dhe torturës që e përjetoi gjatë procesit hetimor, Jonuz Balla, sikurse pjesa dërmuese e anëtarëve tjerë të NDSH-së, nuk u thye fare. Përkundrazi, qëndrimin e tij të prerë, në mbrojtje të çështjes kombëtare, e dëshmoi edhe gjatë procesit gjyqësor. Në pyetjen e kryetarit të gjyqit, Panta Marina, se cilat vepra penale i ka kryer dhe cilët kanë qenë motivet për to, Jonus Balla përgjigjet si më poshtë vijon: “Arsyeja themelore që kam pasur një qëndrim të tillë është ajo se gjatë luftës u kemi folur popullit për vetëvendosje, ndërkohë pas çlirimit një pjesë e konsiderueshme, ku jeton popullsia shqiptare ngeli nën Jugosllavi dhe në ato vise nuk u organizua referendum”.
Procesi gjyqësor zgjati deri më datë 4 shkurt 1947, ndërsa më 7 shkurt, në sheshin e qytetit të Shkupit, kryetari i Gjyqit, Panta Marina, në prani të porotëve, mbrojtësve formal, prokurorit publik, si dhe një numri të madh të popullsisë, lexoi dënimet e shqiptuara kundër 19 të akuzuarve, në mesin e tyre figuronte edhe emri i Jonuz Ballës, i cili u shpall fajtor për sa më poshtë vijon:
“a) Është anëtarësuar në Komitetin e dytë të rrethit për Tetovë dhe rrethin e Tetovës, dhe si i tillë është zgjedhur delegat në Kongresin IV të organizatës, mbajtur me 1 qershor 1946 në Shkup, ku mori pjesë aktive në punimet e Kongresit si dhe në aprovimin e Rezolutës së lartpërmendur;
- b) Më vonë organizoi dhe udhëhoqi Komitetin për qytetin e Tetovës, ku përveç tij kanë qenë të angazhuar edhe Nexhmedin Sezair Besimi dhe Ismail Seiti, me të cilët zhvilloi disa mbledhje ku dhe u përpunua Rezoluta e Kongresit. Veç tjerash, janë mobilizuar edhe në krijimin e çetave të armatosura, të cilat nën udhëheqjen e tyre do të vepronin në atë territor.
- c) Si anëtar i organizatës dhe shumë i afërt me anëtarët e Komitetit Qendror të po kësaj organizate, tok me të akuzuarin Azem Marana dhe me sugjerimin e Qemal Skenderit, në emër të organizatës shkruan një letër në gjuhën frënge, letër e cila shkoi deri te konsulli anglez në Shkup, me përmbajtjen që u tha më lart”.
Në vazhdim, P. Marina, theksoi se i akuzuari Jonuz Balla, me veprimtarinë e paraqitur “ka kryer vepër penale, e paraparë në nenin 3 pika 1, 7, 8 dhe 9 nga Ligji për vepër penale kundër popullit dhe shtetit, lidhur me nenin 2 nga i njëjti ligj”, për çka ai “dënohet me humbje të lirisë, me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 8 vjetësh, në të cilin t’i llogaritet edhe koha që ka qëndruar në burgun hetues prej 24. 07. 1946, dhe në humbje të të drejtave politike dhe disa qytetare në kohëzgjatje prej 2 vjetësh”.
Pas vuajtjes së dënimit, autoritetet e atëhershme të Shkupit, Jonuz Ballën e dëbuan në Shqipëri, si i papërshtatshëm për regjimin e tyre, apo siç thuhej: “për shkak veprimtarisë së tij armiqësore kundër shtetit dhe popullit”. Se si u prit nga autoritetet e atëhershme komuniste shqiptare, atë më së miri e shohim në intervistën e fundit të Jonuz Ballës, dhënë më 25 dhjetor 2006, gazetës “Panorama”, ku ndër të tjerave ai shprehet: “…Direkt nga burgu në Maqedoni, më futën në burg në Shqipëri. Madje pas përfundimit të dënimit 8-vjeçar nuk kam vajtur as në shtëpi. Këtu më akuzuan si bashkëpunëtor i UDB-së dhe se kisha shkelur kufijtë e Republikës Popullore. Në burg më mbajtën katër muaj e gjysmë dhe më pas më caktuan mësues në Stërmen e Cërrik, ku punova deri në vitin 1971, vit në të cilin dola edhe në pension”.
(fund)