Avokati i Popullit, Naser Ziberi pret ankesa zyrtare nga haraçinasit, ndërsa kryetari i Komunës, Ridvan Ibraimi, e ka akuzuar EVN-në se po i dënon qytetarët në mënyrë kolektive, pa i kursyer edhe ata që paguajnë faturat me rregull. EVN ndërkohë ankohet se janë disa persona që bëjnë probleme dhe nuk lejojnë renovimin e defekteve, ndërsa thonë se ka të tjerë që janë kyçur ilegalisht në rrjetin elektrik. Dhe derisa fajet barten nga njëri te tjetri, haraçinasit katër net me radhë janë në terr, ndërsa dëme të shumta u janë shkaktuar nga mungesa e energjisë
Xhenur ISENI
Shkup, 24 qershor – Haraçinasit për katër net me radhë po qëndrojnë në terr, si shkak i mospasjes së rrymës elektrike. Ndërkaq janë shkaktuar edhe dëme të mëdha, si prishja e ushqimeve në frigorifere e shumë të tjera në këto temperatura të larta. Banorët e revoltuar thonë se i paguajnë faturat rregullisht, andaj shprehen të habitur se pse rryma është ndërprerë. Erkani nga Haraçina thotë se rregullisht paguan faturat e rrymës, por që shërbimet nga EVN janë katastrofale dhe nuk e respektojnë marrëveshjen. “Pa dyshim se do të ngrisim padi ndaj EVN-së për këto katër ditë që kemi mbetur pa rrymë elektrike dhe që na janë shkaktuar shumë dëme”, thotë ai. “Kjo nuk ndodh askund më besoni. Është e disata herë që me ditë me radhë nuk kemi rrymë. Edhe gjatë dimrit patëm rast të njëjtë, përkundër asaj që paguaj rregullisht”, thotë ai.
Gazeta KOHA pyeti EVN-në se ku është problemi, e nga atje fajin e hedhin te disa qytetarë, të cilët siç arsyetohet EVN, lidhen ilegalisht në rrjet dhe shkaktojnë defekte. EVN me të njëjtat sqarime si gjithmonë, por nuk treguan se cila do të ishte zgjidhja që qytetarët që paguajnë rregullisht të mos pësojnë. “Gjithkush ka të drejtë të flet çfarë të dojë. Neve nuk na konvenon që në Haraçinë të mos ketë rrymë, nuk e di pse kështu po na perceptojnë se ne nuk dëshirojmë të ketë rrymë atje. Ne dëshirojmë të ketë rrymë atje, por kemi problem me sanimin e atyre defekteve të mëdha, dhe për arsye që ka ngarkesë të madhe dhe rrymë të paparalajmëruar e cila harxhohet dhe e rrënojnë rrjetin. Dhe është thënë se duhet të bëhet rrjet i ri, por nuk na lejojnë, pse nuk na lejojnë atë nuk e di. Sepse duhet ti heqim orëmatësit dhe nuk do të mund më të vjedhin. Të flas me logjikën e biznesit, pse ne të dëshirojmë të mos ketë rrymë në Haraçinë. Ne kemi ardhur edhe me polici në Haraçinë në të kaluarën, kemi ardhur dhe me sigurim, kemi problem, organizohen njerëz dhe na bëjnë problem në terren. Neve na konvenon që kjo çështje të zgjidhet, por dikujt nuk i konvenon të zgjidhet ky problem dhe andaj na bëjnë pengesa në terren”, ka deklaruar për KOHA, Lençe Karpuzovska, shefe e departamentit pranë EVN-së.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi, e ka akuzuar kompaninë EVN se po i dënon haraçinasit në mënyrë kolektive pa i kursyer edhe ata që paguajnë faturat me rregull. Ai tha se EVN duhet ta ndryshojë mënyrën e funksionimit kur është në pyetje Haraçina. Në të njëjtën kohë, Ibraimi tha se mbështetë çdo qytetarë që do të ngrit padi ndaj kësaj kompanie për dëmin e shkaktuar gjatë ditëve kur haraçina po jeton në terr.
“Duhet të përmendet se kjo është dënim kolektiv. Nuk ka askund në botë kështu. Si mundet kolektivisht të dënohen njerëzit. Të dënohet njeriu që e keqpërdorë, të dënohet njeriu që e vjedh, të dënohet ai që nuk e paguan me rregull, por të dënohen edhe njerëz të pafajshëm, kjo është e pafalshme. EVN po i dënon këta njerëz. Në Haraçinë akoma nuk ka një qendër informuese për konsumatorët… Kemi komuna në Maqedoni me 1 mijë konsumatorë dhe ka qendër, ka punkt për pagesa, gjitha, ndërsa në Haraçinë me shumë konsumatorë dhe gjithçka është larg shërbimeve. Kjo është shumë e padrejtë dhe bëj thirrje vazhdimisht të na trajtojnë ndryshe, sepse fundja – duhet ta llogaritë EVN se e ka biznes këtë punë, dhe patjetër duhet biznesi të jetë afër konsumatorit. Unë mbështes qytetarët që janë pagues të rregullt të energjisë të ngritin padi ndaj EVN-së, sepse këto ditë janë shkaktuar shumë dëme në shtëpitë e tyre. Bëj thirrje njëherë e përgjithmonë se edhe ne si qytetarë dhe EVN të vetëdijesohen se nuk bëhet shaka me jetët e njerëzve. Energjia elektrike kohët e sodit është gjëja elementare, dhe unë këtë jam munduar të jem shembull me komunën që e udhëheq, sepse prej marrjes së mandatit e deri më sot, asnjë faturë ndaj EVN-së nuk është papaguar”, ka deklaruar për KOHA, Ridvan Ibraimi, kryetar i Komunës së Haraçinës.
Edhe Avokati i Popullit, Naser Ziberi, tha se qytetarët që janë pagues të rregullt me të drejtë mund të ngrisin padi ndaj EVN-së. Ai ju bën apel qytetarëve të dërgojnë parashtresa te Avokati i Popullit, që më pas ky institucion të kërkojë përgjegjësi nga EVN. “Sigurisht që kanë të drejtë ta padisin EVN-në. Por interesant është se nuk kanë bërë asnjë ankesë te Avokati i Popullit. U bëj apel ta paraqesin problemin me shkrim, të dërgojnë parashtresë. Kur ti pranojmë ankesat, ne atëherë i drejtohemi EVN-së që të jep sqarime se për çfarë bëhet fjalë dhe nëse konstatojmë se ka shkelje të rregullave për furnizim me rrymë, atëherë i bëjmë rekomandime për evitimin sa më të shpejtë të problemit. Qytetarët duhet të ankohen edhe në Komisionin Rregullatorë për Energjetikë, sepse KRrE është mbikëqyrës i funksionimit të operatorëve me energji elektrike”, tha Avokati i Popullit, Naser Ziberi. Gazeta KOHA kërkoi të merr përgjigje edhe nga Komisioni Rregullatorë për Energjetikë, por deri në mbylljen e gazetës, nga ky institucion nuk janë përgjigjur ndaj pyetjeve tona. (koha.mk)