Stuhi në futbollin italian, madje pikërisht në kategorinë më elitare, Seria A dhe më konkretisht për Fabio Lucioni. Kapiteni i skuadrës së Benevento, rezultoi pozitiv ndaj Clostebol, në kontrollin pas ndeshjes ndaj Torinos, dhe është dënuar me një vit skualifikim nga Gjykata Kombëtare Antidoping, që ka konfirmuar kërkesën dhe pretendimet e Prokurorisë. Ndërkohë, mjeku social Walter Giorgione, që kishte marrë mbi vete përgjegjësinë e gabimit, është dënuar nga gjykata për katër vite. Që të dy të dënuarit kanë kontestuar duke apeluar vendimin.
Seksioni i parë i Gjykatës Kombëtare Antidoping i Nado Italia nuk ka bërë asnjë zbritje apo ulje dënimin për Lucioni. Një goditje e rëndë për mbrojtësin e Benevento, i datëlindjes ’87, që tani do të duhet të qëndrojë larg fushave të lojës për shumë kohë. Kështu, nuk vlejti për asgjë marrja e të gjithë përgjegjësisë nga ana e mjekut social të Beneventos, përveçse për të përkeqësuar situatën e vetëm doktorrit, i dënuar edhe ai për një kohë të gjatë, plot 4 vite.
Një lajm i keq ky jo vetëm për Lucioni, por edhe për vetë skuadrën e Benevento, që tashmë humbet sërish kapitenin e saj, në një moment shumë delikat të sezonit. Pas dënimit të parë, qëndrori verdhekuq, ishte rikthyer të luante në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës, duke kontribuar në rritjen e ndjeshme të skuadrës së drejtuar nga De Zerbi, që tani do të kërkojë me siguri nga klubi që të ndërhyjë në merkato, pavarësisht afrimit të Billong.