Athinë, 10 tetor – Me ndjenja miqësore e shohim Maqedoninë e Veriut dhe në mënyrë miqësore e shohim këtë popull, ky është një vend i vogël në të cilin mund t’i ndihmojmë shumë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias në një intervistë për televizionin shtetëror grek ERT, por shtoi se edhe “fqinjët duhet ta respektojnë ndjeshmërinë e popullit grek”.
Siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina, duke folur për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, Dendias tha se vendi ynë në prag të Samitit të BE-së tenton të bëjë “sa më shumë që është e mundur”, por se bën edhe “dinakëri dhe përpjekje për ta shkurtuar rrugën”.
“Ekzistojnë dy çështje: Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe interpretimi i Marrëveshjes. Çdo tekst juridik ka edhe interpretim. Dhe për këtë të jemi të harmonizuar. Nuk mund të interpretojnë siç duan, duhet të interpretojnë siç duhet. Ne me ndjenja miqësore e shohim Maqedoninë e Veriut dhe në mënyrë miqësore e shohim këtë popull. Ky është vend i vogël të cilit duhet t’i ndihmojmë shumë. Mund të investojmë, mund t’i tërheqim me ne në një të ardhme të përbashkët evropiane, por duhet edhe ata t’i respektojnë ndjeshmëritë e popullit grek dhe të shoqërisë greke”, ka thënë Dendias duke theksuar se ajo që e intereson Greqinë është në kufirin verior të ketë një mik dhe nuk dëshiron edhe një armik.
Shefi i diplomacisë greke sqaroi se bëhet fjalë për marrëveshje “që nuk mund lehtë të interpretohet dhe duhet ta bindësh palën tjetër për interpretim”, ndërsa si mjet të shfrytëzohet procesi integrues.
Lidhur me perspektivën evropiane të vendit tonë dhe nëse Greqia do të mbështesë fillimin e negociatave aderuese në Samitin e ardhshëm të BE-së, shefi i diplomacisë greke porositi se Maqedonia e Veriut “ka edhe disa ditë për të përfunduar disa punë”.
“Duhet të bëjnë edhe disa punë, e kemi sqaruar këtë. Ne me kënaqësi do t’ju ndihmojmë. Do t’ju ndihmojmë, përderisa na ndihmoni, këtë fjali e kam shfrytëzuar para Dimitrovit. Këtë e dinë shumë mirë. Duhet të tentojnë pak më shumë, kanë edhe disa ditë”, ka thënë shefi i diplomacisë greke.
Dendias sqaroi se në Ministrinë greke të Punëve të Jashtme ekziston Plan i aksionit dhe do të emërohet person kompetent për ndjekje të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës nga ana jonë.
“Ai theksoi se duhet ‘të çrrënjosen rastet e antikuizimit’ dhe përmendi se ‘Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut gjendet në rrugë që quhet Filipi i Dytë i Maqedonisë’ duke shtuar se ‘ky nuk është kompliment ndaj palës greke’”.
Dendias në intervistën e djeshme për ERT e përsëriti qëndrimin se Athina do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, që, siç tha, ia ka sqaruar ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, ndërsa kryeministri grek Kirijakos Micotakis të njëjtën ia ka transmetuar edhe kryetarit të qeverisë tonë, Zoran Zaev në takimin e tyre në Nju-Jork.