Aida XHONI
Shkup, 12 nëntor – Qentë endacak janë rrezik për qytetarët e Shkupit, të cilët thonë se shpesh po ndodhë që ata të sulmohen dhe kafshohen. Për vitin vijues ende nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e personave të cilët janë kafshuar nga qentë e rrugës, ndërsa sipas statistikave të Klinikës Infektive, vitin e kaluar te kjo Klinikë janë regjistruar mbi 520 pacientë të kafshuar, ndërsa nuk ka të dhëna se sa prej tyre janë kafshuar nga qenë të rrugës, shkruan gazeta KOHA. Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, në Shkup, Rakip Doçi, thotë se prej 1 janari e deri në këtë periudhë – nëpër rrugët e kryeqytetit janë kapur mbi 700 qen endacak. “Në Qytetin e Shkupit deri në këtë periudhë janë kapur mbi 700 qen endacak, të cilët kanë kaluar trajtimin në Qendrën për stacionim që gjendet në ‘Vardarishte’. Pasi të kapen, shërbimi veterinarik bën kontrollimin e tyre dhe u bëhet trajtimi i nevojshëm. Një pjesë e tyre trajtohen nga parazitë të ndryshëm, një pjesë e tyre eutanazohen, një pjesë adaptohen nga persona që i duan qentë endacak”, tha Doçi. Strehimi i përkohshëm i qenve në strehimoren “Vardarishte” ka filluar në vitin 2007 dhe i njëjti ka kapacitet për strehimin e 100 qenve në ditë. Gjatë vitit 2015 janë kapur rreth 1800 qen, ndërsa gjatë vitit 2014 – rreth 2200 qen endacak. Qyteti i Shkupit dhe Higjiena Komunale paguajnë dëmshpërblim për qytetarët e kafshuar nga qentë e rrugës dhe të cilët më pas kanë paditur në Gjyq. Autoritetet e qytetit thonë se brenda vitet ka dhjetëra padi nga qytetarët që janë sulmuar nga qentë. Për kafshim, qytetari mund të kërkojë dëmshpërblim të cilën e ndajnë në mënyrë solide NP “Higjiena Komunale” dhe Qyteti i Shkupit. Nëse rasti shkon në procedurë gjyqësore, praktika tregon se qytetari për dhimbje të shkaktuara fizike në trup mund të marrë dëmshpërblim prej 35 mijë denarësh, për panik dhe frikë 30.000 denarë, për dhembje shpirtërore prej të cilave ka ndaluar aktivitetet jetësore – 20.000 denarë dhe për shpërblim – 5000 denarë ose gjithsej merr 90.000 denarë. Ndryshe, ditë më parë, kreu i ri i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov së bashku me Shoqatën për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” e vizituan Qendrën për trajtim human të qenve të rrugës “Vardarishte”. “Qëllimi ynë është t’i shohim kushtet, mënyrën se si është përkujdesja e qenve endacakë, t’i përmirësojmë kushtet për kafshët që janë të stacionuar këtu për shkak të periudhës së dimrit dhe të bëjmë një koordinim, unë si kryetar, të punësuarit këtu dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të gjejmë një zgjidhje optimale për një mënyrë më moderne dhe më humane të strehimit të këtyre kafshëve. Jam i kënaqur që këtu janë përfaqësuesit e sektorit civil, sepse me ta kemi ndërmend ta rregullojmë mënyrën dhe sistemin e funksionimit të kujdesit të qenve të pastrehë”, tha Shilegovi. (koha.mk)