Santiago, 6 nëntor – Dy police janë lënduar rëndë gjatë protestës së sotme dhe konfliktit mes demonstruesve dhe policisë në kryeqytetin e Kilit, Santiago.
Gjatë protestave të përgjakshme në Kil policia me demonstruesit kryesisht po lufton me gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa demonstruesit kundërpërgjigjen me mjete të ndryshme, mes të cilave janë edhe koktejet e Molotovit, transmeton gazeta KOHA.
Me kokteje molotovi janë goditur dy police, të cilat përfunduan në spital.
Që të dyja u goditën në pjesën e kokës, ndërsa posaçërisht janë tronditëse xhirimet dhe fotografitë në të cilat tek njëra prej tyre shihet i tërë tmerri nëpër të cilin kalon derisa kolegët tentojnë ta shuajnë zjarrin nga fytyra e saj.
Janë lënduar 20-vjeçarja Abigejl Katalina Aburto kardenas dhe kolegia e saj pesë vjet më e madhe, maria Hoze Hernandez Tores, që të dyja pjesëtare të policisë speciale nga Santiago, transmetojnë mediumet britanike.
Që të dyja në spital i vizitoi ministri i Punëve të Brendshme, Gonzalo Blumel, i cili prej atje e dënoi sulmin.
“Kjo është dhunë e pastër që nuk ka lidhje me kërkesat legjitime të demonstruesve. Ky ishte akt qyqar dhe agresion ndaj policeve të cilat punojnë në sigurimin e paqes dhe qytetarëve të tyre”, deklaroi Blumel.
Gazetarët të cilët u gjetën në vendin e ngjarjes informuan se policia, pasi që i pa koleget e tyre në zjarr, i intensifikoi aktivitetet e veta, duke filluar të gjuajë ndaj demonstruesve me plumba gome dhe përdorim të përforcuar të gazit lotsjellës.
Gjatë trazirave dyjavore mes demonstruesve, të cilët protestojnë për shkak të çmimit të rritur të transportit në vend, dhe policisë, deri më tani janë lënduar mbi 800 policë dhe rreth 1.650 demonstrues.(koha.mk)