“Ngjarjet e vitit 1968 në histografinë shqiptare janë si elementi kyç i kthesës dhe rezistencës si dhe sublimimit me pavarsinë e Kosovës, me avansimin e shqiptarëve të Maqedonisë, me anëtarësimin e Shqipërisë në Nato dhe hapjen e procesit të eurointegrimit dhe konceptit evropian të thyerjes së kufirit dhe realizimit të ëndrrës shqiptare, e cila bëhet realitet i cili është bashkimi dhe afrimi i shqiptarëve së bashku me popujt tjera”, tha dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSHM
Shkup, 22 dhjetor – Për të përkujtuar 50 vjetorin e demonstrave të vitit 1968 në Tetovë, sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve u promovua monografia kushtuar këtyre ngjarjeve. Për disa nga personalitetet kyçe të demonstratës së Tetovës është paraqitur nga një biografi e shkurtër, si dhe disa kujtimet nga dëshmitarët. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar shtypit vendor dhe të huaj, ku çështja e demonstratave të Tetovës ishte reflektuar nga kënde të ndryshme. Dhe, pjesa e fundit është e plotësuar me dëshmi-fotografi kryesisht prej faksimileve të shtypit të kohës, në mungesë të foto-grafive autentike nga vetë ngjarja për të cilën po bëhet fjalë në këtë vepër.
Libri monografik “Demonstratat popullore të vitit 1968 në Tetovë’’ është përpiluar nga autorët Skender Asani, Nebi Dërvishi, Xhemil Daci, Isak Sherifi, Sefer Tahiri dhe Sevdail Demiri.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se sot përkujtojmë demonstratat e 1968-s, në mbrojtje të flamurit dhe dinjitetit tonë kombëtar, duke e paraqitur këtë ngjarje historike nga të gjitha këndet e mundshme, në bazë të dokumentacionit, dëshmive dhe kujtimeve të vetë pjesëmarrësve në të.
“Ngjarjet e vitit 1968 në histografinë shqiptare janë si elementi kyç i kthesës dhe rezistencës si dhe sublimimit me pavarsinë e Kosovës, me avansimin e shqiptarëve të Maqedonisë, me anëtarësimin e Shqipërisë në Nato dhe hapjen e procesit të eurointegrimit dhe konceptit evropian të thyerjes së kufirit dhe realizimit të ëndrrës shqiptare, e cila bëhet realitet i cili është bashkimi dhe afrimi i shqiptarëve së bashku me popujt tjera”.Demonstratat e vitit 1968 në Tetovë, lënduan fizikisht dhe shpirtërisht qindra shqiptarë, të cilët u burgosën, u rrahën, u maltretuan e u survejuan vite të tëra nga organet e sigurimit shtetëror komunist jugosllav. Mirëpo, këto demonstrata e ngritën lartë flamurin e vetëdijes dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare, e cila do të kaliste brezat e ardhshëm për rezistencë aktive kundër padrejtësive të shumta”, deklaroi Asani.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, tha se demonstratat masive të popullatës shqiptare të Tetovës dhe më gjerë, 50 vjet më parë, ishin një grusht ndaj regjimit të kohës, i cili nuk i përfillte të drejtat kombëtare të shqiptarëve, të cilat garantoheshin edhe me kushtetutë.
“Flamurtarët e vitit 1968, ishin baza te të cilët u sendërtuan idealet e gjeneratave të mëpastajme, për liri dhe barazi të plotë kombëtare të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës politike, shoqërore, arsimore, kulturore, etj.”, u shpreh ministri Ademi.
Më pas fjalë rasti patën edhe përpiluesit e monografisë në fjalë. Ekipi i kryesuar nga historiani Nebi Dervishi, ka bërë një përmbledhje historike për gjithë kontekstin e demonstratave, zhvillimin e vetë ngjarjeve dhe pasojat e tyre. Në fillim është përfshirë gjendja e shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë që nga Lufta e Dytë Botërore, e deri në vitet e 60-ta, kur me rënien e Aleksandar Rankoviqit famëkeq nga pushteti, filloi të ndryshojë pak nga pak edhe situata e përgjithshme politike në Jugosllavinë e atëhershme të Titos. Më pas janë përfshirë demonstratat studentore në Evropë, ish-Jugosllavi, Kosovë. Por, natyrisht se demonstratat e Tetovës janë strumbullari i gjithë librit, ku janë përshkruar ngjarjet kryesore që lidhen me revoltën studentore dhe gjithëpopullore të shqiptarëve, me kërkesat për barazi kombëtare, shkolla dhe universitet në gjuhën shqipe. Për disa nga personalitetet kyçe të demonstratës së Tetovës është paraqitur nga një biografi e shkurtër, si dhe disa kujtimet nga dëshmitarët. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar shtypit vendor dhe të huaj, ku çështja e demonstratave të Tetovës ishte reflektuar nga kënde të ndryshme. Dhe, pjesa e fundit është e plotësuar me dëshmi-fotografi kryesisht prej faksimileve të shtypit të kohës, në mungesë të foto-grafive autentike nga vetë ngjarja për të cilën po bëhet fjalë në këtë vepër.