Uashington, 18 shkurt – Demokratët në Kongres sot parashtruan një propozim-ligj për shtetësi me çka emigrantët ilegalë në SHBA mund ta legalizojnë qëndrimin e tyre gjatë tetë viteve. Iniciativa hasi në rezistencë të madhe nga ana e republikanëve.
Në SHBA jetojnë dhe punojnë rreth 11 milionë emigrantë pa dokumente. Ligji, një nga premtimet e presidentit Xho Bajden në fushatën e tij para zgjedhjeve, i heq restrikcionet e vendosura për marrjen e shtetësisë në bazë familjare dhe e rrit numrin e vizave të punës.
Askush nga republikanët nuk e mbështet ligjin dhe nuk është deklaruar për propozimin, prandaj priten diskutime të ashpra rreth kësaj teme. Demokratët janë shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve, por në Senat forcat janë barazuar dhe përsëri vendimtar do të jetë zëri i nënkryetares Kamala Harris. Që të shmangin pengesat dhe vonesat procedurale, demokratët në anën e tyre duhet të tërheqin plus dhjetë vota të republikanëve.
Nismëtare për shqyrtimin e draft-ligjit në Dhomën e Përfaqësuesve është kongresistja Linda Sançez, ndërsa javën e ardhshme senatori Robert Menendez do ta prezantojë në Dhomën e Epërme të Kongresit të SHBA-së.
Demokratët, gjithashtu propozojnë disa draft-ligje më të vogla për reformë të emigrimit si mënyrë e marrjes së shtetësisë së “ëndërrimtarëve”, legalizimin e propozimit nga epoka e Barak Obamës e DREAM Act“ (Development, Relief, and Education for Immigrant Minors Act), gjegjësisht qëndrim ligjor për fëmijët të cilët bashkë me prindërit ilegalisht kanë hyrë në SHBA.
Këto masa më të gjera për legalizim të emigrantëve parashohin një varg ndryshimesh të ligjeve si heqja e kërkesës për njohjen e gjuhës angleze për personat me qëndrim legal të cilët marrin shtetësi ndërsa janë më të moshuar se 50 vjet.
Propozim-ligji sot ishte kritikuar nga organizata Heritage Action, degë politike konservatore e fondacionit konservator “Heritixh”.
“Ky hap do të shkaktojë më shumë dëme për punëtorët amerikanë, të cilët për momentin gjenden në situatë të rëndë për shkak të krizës kombëtare në shëndetësi dhe ekonomi”, deklaroi Xhesika Anderson, drejtoreshë ekzekutive e organizatës.
Sipas “Pju risërç”, në vitin 2017 në SHBA ka pasur 10,5 milionë emigrantë pa dokumente, një pjesë e vogël e personave të lindur jashtë vendit të cilët jetojnë në SHBA ndërsa të cilët atëherë numëroheshin 44,5 milionë. Nga këto, 45 për qind janë persona me nënshtetësi, ndërsa 27 për qind kanë qëndrim legal në vend.