Një qeveri që vazhdimisht iu referohet zgjedhjeve ‘të lira e të ndershme’, por pa dhënë kurrfarë sqarimi se çka ndodhë pastaj me (pa)varësinë e institucioneve dhe një opozitë që marrjen e pushtetit e synon pa një projekt të mirëfilltë qeverisës, janë dy nga brigjet e largëta të një hendeku që demokracinë e bënë të projektohet si stallë ku secili ka të drejt ta lidhë atin e tij të harlisur
Nga Emin AZEMI
Futja e sintagmës ‘stabiliteti para demokracisë’ ka shkaktuar jo pak trauma në mendësinë politike të entuziastëve të pakorrigjueshëm të cilët besojnë se ndershmëria e reformave mund t’i sjell prosperitet një vendi.
Ngjarjet fundit në Shqipëri, megjithatë, sikur nxorën në pah të metat e një përvoje të pastudiuar sa duhet në këto vite të pluralizmit demokratik. Atje opozita ka djegur mandatet, kurse kampi qeveritar insiston në legalitetin dhe legjitimitetin e vijueshmërisë së vullnetit të mandatuar nga votuesit, që i bie mosdevijim nga axhenda e paracaktuar e kabinetit qeveritar, i përbërë vetëm nga një parti – PS.
Aksioni politik i opozitës në Tiranë tani është përqendruar në rrugë. Kryesisht janë protestat para ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit, të shoqëruara me përleshje e gazlotsjellës, ato që hë për hë po e karakterizojnë këtë aksion opozitar.
Ekziston një hendek në mes të opozitës dhe kampit qeveritar dhe janë ndërkombëtarët ata të cilët po mundohen ta bëjnë të kalueshëm këtë hendek. Mirëpo deri më tani, pa sukses.
Ka diçka që nuk shkon në Tiranë. Edi Rama po insiston në legjitimetin qeverisës të fituar në zgjedhje legale, ndërkohë që është opozita ajo që po e konteston këtë legjitimitet, duke pretenduar se votat në disa zona janë vjedhur. Kjo doli e faktuar edhe nga ‘Zëri i Amerikës’. Përgjimet që u ‘peshkuan’ rastësisht nxorën në pah degradime të theksuara të procesit zgjedhor në disa zona elektorale, teksa prokuroria ende nuk ka zbardhur hetimet për mashtrim zgjedhor përmes shitblerjes së votës. Askush nuk mund ta dijë epilogun e këtij hetimi, ndërkohë që analistët dhe shoqëria civile, që deri dje ishin paksa më proqeveritar, tash më kanë filluar të solidarizohen me kauzën opozitare të denoncimit të mashtrimeve zgjedhore.
Demokracia në këtë tranzicion të stërzgjatur, nëpër të cilën po kalon edhe Shqipëria, shoqërohet nga disa paradokse, por dy janë më të theksuara.
E para, të gjithë ata që thirren në zgjedhje të lira e të ndershme ende nuk e kanë dhënë një përgjigje shumë të rëndësishme që lidhet me produktin e atyre zgjedhjeve. Çfarë institucione po ndërtohen dhe kush po i kontrollon ato pas zgjedhjeve?
Përvoja ka dëshmuar, ashtu siç ka ndodhur edhe në Shqipëri, që shumica e institucioneve të drejtësisë, përfshi gjykatat kryesore, prokurorinë e përgjithshme, pastaj agjencitë dhe dikasteret shtetërore ligjzbatuese, doganat, institucionet financiare, mediat etj. të gjitha këto, pra, rezultojnë të kenë një ‘bos’, që bëhet kryeministër në saje të votës së ‘lirë e të ndershme’ , e që është i pari që frenon çfarëdo lloj kontrolli të brendshëm demokratik. Të gjitha këto institucione janë dekor i një kopshti kryeministror dhe sa herë që opozita drejton gishtin e denoncimit të ndonjë deformimi, është kampi qeveritar ai që i rrëzon këto pretendime për ‘mungesë faktesh’. Nëse faktet nuk kalojnë nëpër gjykata, ato janë vetëm llafologji, dhe pikërisht ky është synimi i pushtetit që ta paraqes opozitën sa më të zhveshur nga instrumentet e faktologjisë.
E dyta, opozita synon rrënimin pushtetit, por pa një projekt të definuar qeverisës. Kauza e pakënaqësive sociale dhe detektimi i mangësive e aferave korruptive, përfshi edhe ato të shitblerjes së votave, nuk mjaftojnë për të qenë alternativë e denjë e pushtetit, nëse nuk kanë një program të qartë, që do të përfshinte kahe e premisa zhvillimore, të ndryshme nga qeveria aktuale. Krahas kësaj, opozita ende nuk ka arritur t’i bindë plotësisht kritikuesit e saj se nuk do të ndodhë që sërish të bëhet zëvendësimi i oligarkive ekonomike, nga e majta në të djathtë.
Një qeveri që vazhdimisht iu referohet zgjedhjeve ‘të lira e të ndershme’, por pa dhënë kurrfarë sqarimi se çka ndodhë pastaj me (pa)varësinë e institucioneve dhe një opozitë që marrjen e pushtetit e synon pa një projekt të mirëfilltë qeverisës, janë dy nga brigjet e largëta të një hendeku që demokracinë e bënë të projektohet si stallë ku secili ka të drejt ta lidhë atin e tij të harlisur. (koha.mk)